Mes projekteve tjera shqiptare, rishikimi i buxhetit për vitin 2016, ka paraparë shkurtim të mjeteve edhe për ndërtimin e objektit të Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovës. Alsat M siguroi dëshmi ku shihet se nga 180 milion denarë, tashmë këtij projekti i mbeten 120 milion denarë. Bëhet fjalë për një dallim prej 60 milion denarësh ose afër 1 milion euro.

Sekretari shtetëror në ministrinë e kulturës, Bexhehudin Shehapi ishte pakapshëm për të sqaruar shkurtimin e mjeteve. Në vendin ku zhvillohen ndërtimet, tashmë disa muaj, nuk shihet asnjë progres. Gjatë vënies së gurthemelit në nëntor të vitit 2014, u tha se investimi do të kapë shumën prej 13 milion eurosh dhe ndërtimet do të përfundojnë në vitin 2017. Për dallim nga projekti fillestar, vitin e kaluar u vendos që objekti të ketë dy kate më pak nga ç’ishte planifikuar por autoritetet e quajtën atë “një korrigjim” dhe në vazhdimësi mohuan që kjo të jetë pasojë e shkurtimit të mjeteve të buxhetit. Aktivitetet kulturore dhe artistike në Tetovë, zhvillohen në ambiente provizore dhe në kushte jashtë standardeve, kurse biblioteka “Koço Racin” mbetet e mbingarkuar.