Pesë milionë euro asistencë janë dhënë donacion nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar Kosovën në luftën e pandemisë Covid-19. Të premten është shpërndarë kontingjenti i tretë, i cili përfshin 10 autoambulanca dhe 100 shtetër. Ku tri nga autoambulancat do të jenë për QKUK-në, shtatë të tjera për spitalet regjionale.

Ministri i ri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka pranuar këto donacione në vlerë prej 5 milionë eurove, ku ndër të tjera ka falënderuar Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë për ndihmën që i ka bërë Kosovën gjatë kësaj pandemie.

Zemaj: Ky nuk do të jetë bashkëpunimi jonë i fundit
“ Ky nuk do të jetë bashkëpunimi jonë i fundit, ne do të vazhdojmë, jo vetëm në kërkesën për ndihmë direkte, por edhe në bashkëpunimin tjetër reciprok të avancimit të sistemit shëndetësor në Republikën e Kosovës. Kështu që edhe në emër të juve, por edhe në emër të qytetarëve, i falënderoj përzemërsisht këta. Dhe përmes këtyre qytetarët evropianë për të gjitha ato fonde të cilat i kanë dhënë si ndihmë direkte që të tejkalojmë sa më shpejt pandeminë dhe t’i kthehemi normalitetit në vend”, tha Zemaj.

E, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik të Kosovës, Basri Sejdiu tha se shpërndarja e këtyre donacioneve nga BE, po bëhet pikërisht në kohën kur më së shumti ka nevojë sistemi shëndetësor në Kosovë.

Sejdiu: Tri autoambulanca do të jenë për QKUK-në, dhe tri për spitalet regjionale
“ Duke llogaritur 10 autoambulanca të cilat tri do të jenë për QKUK-në dhe shtatë për spitalet regjionale. Dhe shumë pajisje të tjera, monitorë, infuzomant të cilat vërtetë do të hyjnë në punë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, e posaçërisht tani kur gjatë kësaj pandemie janë të mirëseardhura”, shtoi Sejdiu.

Ndërsa, koordinatorja për zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson tha se ambulancat dhe materialet tjera do të ndihmojnë në forcimin e sistemit shëndetësor të Kosovës.

Richardson: Covid është me ne ende këtu në Kosovë
“Këto ambulanca që po i shihni këtu janë rezultat i solidaritetit dhe bashkëpunimit të shkëlqyeshëm ndërmjet zyrës së BE-së dhe Kombeve të Bashkuara, në këtë rast veçanërisht UNOPS-it, ambulancat së bashku me materialet e tjera do të ndihmojnë në forcimin e sistemit shëndetësor të Kosovës, dhe do të ndihmojnë për të shpëtuar jetë dhe për të siguruar një përgjigje efektive tani gjatë COVID-it, unë dua ta përsëris mesazhin tonë për popullin se COVID është akoma me ne këtu në Kosovë dhe që bashkëpunimi i popullit dhe i bizneseve do të jetë gjithashtu një pjesë thelbësore për të ndihmuar sistemin shëndetësor për të luftuar pandeminë”, u shpreh ajo.

Samir Selimi, menaxher i projektit në zyrën e BE-së, tha se ky donacion është në vazhdën e ndihmës që BE-ja po i jep Kosovës ku fillimisht janë ndarë 3 milionë euro në luftën ndaj pandemisë.

Rexhepi: Tre milionë euro u janë dorëzuar deri më tani autoriteteve të Kosovës

“Jam shumë i lumtur që jam këtu në emër të zyrës së BE-së në Kosovë dhe ambasadores Apostolova, BE është e përkushtuar të ndihmojë institucionet e Kosovës dhe veçanërisht institucionet e sektorit shëndetësor në luftën kundër pandemisë COVID-19, dhe të gjitha këto donacione përbëjnë pjesën e tretë te donacioneve që kemi dhënë tashmë, gati 3 milion euro u janë dorëzuar deri më tani autoriteteve të Kosovës, dhe shpresojmë qe të vazhdojmë të ndihmojmë edhe në të ardhmen, jam shumë i kënaqur dhe dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të falënderuar autoritetet dhe stafin shëndetësor të Kosovës për përkushtimin e tyre në luftimin e kësaj pandemie dhe gjithashtu kolegjeve të UNOPS qe jane përkujdesur per t’i siguruar këto pajisje në këtë kohë të vështirë”, ka thënë Rexhepi.