Bashkimi Evropian sot edhe për një vit e vazhdoi embargon për dërgesë të armës dhe sanksioneve të tjera ndaj Bjellorusisë, pasi konkludoi se vendi nuk ka arritur përparim të dukshëm për heqjen e tyre.
Në të njëjtën kohë, BE-ja ka vendosur edhe sanksione shtesë ndaj Koresë Veriore për shkak të testimeve bërthamore dhe raketore balistike që i ka kryer vendi.
Krahas embargos për armë, anëtaret e BE-së i kanë mbajtuir masat për ngrirjen e pronës dhe ndalesën për udhëtim për katër persona, të cilët dyshohen për lidhje me zhdukjen e dy liderëve opozitarë bjellorusë, një biznesmeni dhe një gazetari.
BE-ja vitin e kaluar ka hequr një pjesë nga sanksionet paraprakisht të vendosura ndaj Bjellorusisë, por Unioni prej atëherë ka shprehur brengosje për shkak të vazhdimit të zbatimit të dënimit me vdekje në vend, si dhe për shkak të ngjarjeve të tjera politike.
Kur bëhet fjalë për vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj Koresë Veriore, Unioni e mori këtë vendim në kohë kur Peniani është në qendër të vëmendjes së bashkësisë ndërkombëtare, pasi në aeroportin në Kuala Lumpur është vrarë gjysmvëllau i liderit verikorean, Kim Xhong un, Kim Xhong nam.
Këshilli Evropian kumtoi se masat e reja ndaj Penianit përfshijnë kufizime për tregti me qymyr dhe xehe, si dhe ndalesë për import të bakrit, niklit, argjendit dhe zinkut nga Koreja Veriore.