Bashkimi Europian ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Kosovës për të hapur ambasadën në Jerusalem duke e konsideruar një hap mbrapa në rrugën e integrimit. Zëdhënësi i Komisionit Europian për politikën e jashtme, Piter Stano ka deklaruar se Kosova ka devijuar nga parimet e unionit.

“Vendimi i Kosovës për të hapur një ambasadë në Jerusalem është për të ardhur keq sepse në thelb e devijon vendin nga pozicioni i BE. Unioni mbetet shumë i qartë në këtë cështje. Zgjidhja e fundit mbi statusin e Jerusalemit duhet të përcaktohet përmes dialogut mes Palestinës dhe Izraelit. Qëndrimi i BE nuk ndryshon. Ne presim që Kosova të veprojë në përputhje me angazhimet që ka marrë përsipër.”

Duke folur për ngërcin në liberalizimin e vizave dhe mungesën e delegacionit të BE-së në Kosovë, Stano thotë se nuk janë përmbushur kushtet dhe nuk ka unitet mes vendeve të unionmit për njohjen e Kosovës.

“Kosova e ka përcaktuar integrimin në BE si prioritet strategjik për tu siguruar qytetarëve të saj një jetë më të mirë. Prandaj është një pritshmëri logjike nga vendet anëtare që të veprojë në përputhje me parimet dhe politikat e BE. Nëse nuk përmbushen kushtet as nuk mund të ëndërrohet për ambicien e bashkimit me vendet anëtare. Delegacioni i B-së në Kosovë mungon sepse nuk ka ende unitet mes vendeve për ta njohur, është një vendim që i përket atyre.”

Ndërkohë, ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Vlora Çitaku, i është përgjigjur kritikave duke thënë se Bashkimi Europian është treguar indifferent ndaj Kosovës dhe nuk gjendet në pozicionin për të kërkuar llogari.