Ndërkohë, Presidenti Gjorge Ivanov më në fund ka takuar ambasadoret e SHBA-së Xhes Bejli dhe euro-ambasadorin Aivo Orav. Ivanov prej dy ditësh nuk i përgjigjej kërkesës së faktorit ndërkombëtar që në një takim të përbashkët të sqarojë vendimin e tij për faljen e politikanëve dhe funksionarëve të ndryshëm që ndiqen penalisht në kuadër të procedurave të Prokurorisë Speciale.

Megjithëse pas takimit nuk u prononcuan për mediat, ambasadori Bejli porositi shkurt përmes rrjetit social Tuiter, se “Falja masive mund të llogaritet si mosndëshkim dhe përbën pengesë për zgjedhje të besueshme dhe për trajektoren euro-atlantike të vendit.”

Nga ana tjetër, Bejli është shprehur pro protestës së qytetarëve, duke thënë se protesta mbetet e drejtë demokratike fundamentale mirëpo ka dënuar dhunën dhe vandalizmin.

Ndërkohë, Britania e Madhe edhe zyrtarisht ka ftuar presidentin Ivaniv të tërheq vendimet për falje duke konstatuar se vendi nuk është i gatshëm për zgjedhje më 5 qershor.

“Vendimi i presidentit më 12 prill, që të falë ata individë që janë duke u hetuar mbi akuzat e abuzimit, është shqetësues. Ky vendim i mbron zyrtarët dhe ish-ministrat të akuzuar për korrupsion…. këto akuza duhet të hetohen plotësisht në bazë të procesit të rregullt ligjor, në mënyrë që Maqedonia mund të gjej një zgjidhje të qëndrueshme për krizën politike në vazhdim. Unë i bëj thirrje Presidentit të Maqedonisë, të gjej një mënyrë për të tërhequr vendimin. Maqedonia pritet të ketë zgjedhje më 5 qershor. Ne jemi të shqetësuar për gatishmërinë e realizimit të këtij procesi pasi nuk ka listë të pastër zgjedhore dhe reforma në media”, thuhet në reagimin me shkrim të Ministrit britanik për Evropën David Lidington