Zejd Rexhepi

Nga mbrëmë në mesnatë, me marrëveshjen e turpit e dalë nga vendimet e Përzhinos, KSHZ-së dhe Kuvendit të RM-së, ku përveç partive antishqiptare (VMRO-LSDM), nënshkrues dhe përkrahës ishin edhe partitë shqiptare (BDI-PDSH), të cilët pa fije turpi dhe pa frikë nga mallkimi i historisë, juridikisht i fshinë mbi 25.000 shqiptarë dhe i privuan nga e drejta e tyre njerëzore dhe qytetare të garantuar nga të gjitha konventat ndërkombëtare dhe demokratike që të zgjedhin ose të jenë të zgjedhur.

Është e vërtetë e hidhur se në këto bisedime, shqiptarët jo vetëm që nuk kanë qenë të përfaqësuar legjitimisht, por edhe nga vendimet e dala kanë rezultuar të dëmtuar rëndë në qenien dhe tërësinë kombëtare dhe të diskriminuar skajshmërisht, dëm që nuk do të kishte mundur ta bëjnë as Raknoviqi e Millosheviqi.

Mbi 25.000 shqiptarë, juridikisht u fshinë nga listat zgjedhore, edhe pse faktikisht dhe fizikisht ata jetojnë dhe veprojnë në këtë shtet dhe me tatime kontribuojnë në buxhetin e tij.

Fakti që mbi 5000 shqiptarë nga kjo listë zgjedhore famëkeqe arritën që për këtë kohë të shkurtër të vërtetojnë që nuk janë fiktiv, është dëshmi e gjallë se e gjithë KSHZ-ja, dhe nënshkruesit e Marrëveshjes së Përzhinos duhet të japin dorëheqje të parevokueshme. Në botën e qytetëruar dëshmia fizike dhe juridike e vetëm një qytetari, do të mjaftonte që të rezultojë me dorëheqje të përgjegjësve në të gjitha institucionet e përfshira.

Mirëpo, beteja për këta shqiptarë të lënë në mëshirën jashtë institucionale nuk duhet të përfundojë me kaq:

Tash nevojitet që Lëvizja BESA si forcë politike shqiptare sëbashku me sektorin civil në vend, të organizohen dhe të shfrytëzojnë të gjitha metodat demokratike dhe adekuate për nivelin e pushtetit aktual, që nga protestat e deri te bllokimi i institucioneve përgjegjëse, me qëllim që jo vetëm lista zgjedhore antishqiptare, por të gjitha vendimet e dala nga Përzhino të shpallen të pavlevshme dhe jovalide si dhe të revidohet i gjithë procesi i bisedimeve.

Ky pushtet antishqiptar duhet doemos të përballet me fuqinë e popullit shqiptar…