Zëvendës presidenti amerikan Joe Biden ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara dhe Turqia janë përgatitur për të kërkuar një zgjidhje ushtarake në Siri, nëse marrëveshja politike rezulton e pamundur.

Biden tha se një marrëveshje politike do të ishte pozitive, por nëse ajo nuk arrihet administrata amerikane do të kërkojë alternativa të tjera.

Sipas tij, mes këtyre alternativave përfshihet edhe “eleminimi i Daesh”, duke përdorur kështu anakronimin arab të Shtetit Islamik.

Numri dy i Shtëpisë së Bardhë foli pas bisedimeve të zhvilluara nga Stamboll me kryeministrin turk, Ahmet Davutoglu.

“Ne nuk jemi as optimistë e as pesimistë, ne jemi të vendosur”, u përgjigj ai kur u pyet mbi mundësinë e arritjes së marrëveshjes politike.

Biden bëri më tej të ditur se, me zotin Davutoglu kishte biseduar për mënyrat se si dy vendet mund të mbështesin më shumë rebelët arabë sunitë që kundërshtojnë regjimin e presidentit Bashar al Assad.

Ai shtoi se, Uashingtoni është i vetëdijshëm se Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, që është e ndaluar në Turqi, përbën po aq kërcënim për Ankaranë sa edhe Shteti Islamik. “Është një grup terrorist dhe ato që ata bëjnë janë shumë indinjuese”, u shpreh Biden.

Deklaratat e zëvendës presidentit sa i takojnë Sirisë janë cilësuar si “destruktive” nga Moska. “Është e çuditshme të dëgjosh këto fjalë në një kohë kur të gjitha vendet po përpiqen të gjejnë një zgjidhje politike. Dhe të tilla kërcënime mund të jenë vetëm destruktive”, ka thënë një burim diplomatik rus për agjencinë e lajmeve “Interfax”.