Nga 1 janari hyri në fuqi sistemi i integruar tarifor, i cili vlen për të gjithë transportuesit publik dhe privat. Sipas këtij sistemi, shfrytëzuesit e transportit publik duhet të pajisen me kartelë elektronike. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Qyteti i Shkupit ka sjellë vendim për periudhë promotive prej një muaji, me ç’rast me çdo kartelë elektronike të blerë të pa personalizuar vijojnë 5 udhëtime falas.

 

Disa nga qytetarët e anketuar nga gazeta Koha u shprehën të kënaqur nga ky ligj i ri, por kishte edhe nga ata që u shprehën të revoltuar. Rumena Rajkovska nga lagja e Karposhit, thekson se ndjehet e kënaqur me këtë ligj dhe shpreson të vazhdoj dhe më tutje, pasi sipas saj, është shumë më lirë.

Ndërkaq, nga ana tjetër studentët shprehen të revoltuar pasi, sipas tyre, ky ligj vetëm se i ka shtrenjtuar biletat. Ata thonë se biletat e tyre studentore nuk vazhdojnë më dhe duhet të nxjerrin të reja, ndërsa për t’i nxjerr biletat e reja u kushton më shumë, sepse ata paguajnë edhe vërtetimin që po e marrin nga universiteti, plus pastaj duhet të paguajnë edhe biletën që e marrin nga ndërmarrja publike./Telegrafi/