Pas reshjeve të fundit të borës duket se kanë nisur të ulet numri i të prekurve nga gripi. Kështu të paktën thonë mjekët e përgjithshëm sipas të cilëve gjatë ditës së sotme vërehet numër dukshëm më i vogël i pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore. Madje, sipas mjekut Fikret Vishniq, gjatë ditës së djeshme janë paraqitur kryesisht pacientë të cilët duhet vazhduar terapinë e nisur.

Pavarësisht uljes së numrit, mjekët vazhdojnë të përsërisin këshillat e tyre për tu mbrojtur nga gripi. Sipas tyre duhet përdorur më shumë lëngje dhe vitamin C, qytetarët duhet të qëndrojnë në ambiente të pastra ndërsa të shmangen vendet e mbyllura dhe me shumë njerëz, veçanërisht të shmangen kontaktet me njerëz të sëmurë.

Ndërkohë, një ditë më parë Instituti i Shëndetit publik prezentoi raportin e fundit ku vërehej numër alarmant i të prekurve nga gripi në Maqedoni. Në raport thuhej se vetëm për 7 ditë janë paraqitur mbi 9.400 persona të prekur gripi apo dy herë më shumë nga java e kaluar. Numri më i madh i të prekurve nga gripi janë regjistruar në Shkup, Strumicë dhe Veles./Alsat/