Gjithmonë besoja se zgjidhjet mund të gjenden në tryezën e bisedimeve. Gjeneratat e tanishme dhe të ardhme nuk do ta falin as Bullgarinë, e as Republikën e Maqedonisë së Veriut, nëse nuk gjejnë kompromis i cili do të japë perspektivë, deklaroi sot kryeministri Bojko Borisov në takim me të dërguarin special të Qeverisë sonë për Bullgari, Vllado Buçkovski.

Siç njoftoi shërbimi për informim i Qeverisë bullgare, Borisovi ka theksuar se për gjetjen e zgjidhjes së qëndrueshme dhe të përhershme për “çështjet e tjera të hapura në marrëdhëniet bilaterale”, nevojitet “qasje pragmatike, e sinqertë dhe me qëllim të mirë, e shprehur në aktivitete konkrete”.

Sipas Borisovit, për kthimin e besimit të ndërsjellë do të nevojitet përmbushje strikte e të gjitha obligimeve të ndërmarra me Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim, të lidhur mes të dyja vendeve në vitin 2017.

“Bullgaria gjithnjë i ka respektuar vlerat euroatlantike dhe për këtë temën për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor e vendosëm në vend të parë gjatë kryesimit tonë me Këshillin e BE-së, theksoi Borisovi.

Sipas tij, Bullgaria deri më tani ka bërë përpjekje maksimale për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE, dhe në këtë kontekst si rezultat i mbështetjes bullgare për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë së Veriut është nënshkruar edhe Marrëveshja për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim.