Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, në Shkup pranoi se nuk mund të thotë kur do të fillojnë negociatat aderuese me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë, por theksoi se Brukseli ka vullnet për këtë, posaçërisht në kontekstin e luftës në Ukrainë.

Borrell paralajmëroi pako të re të sanksioneve kundër Rusisë, duke e falenderuar qeverinë e Kryeministrit Dimitar Kovaçevski për mbështetjen e të gjitha restriksioneve të deritanishme ndaj Kremlinit, në emër të stabilitetit të Evropës. Borrell ka pasur takime të ndara me Presidentin e shtetit dhe me kryetarin e Parlamentit.

Nga pika e parë e turneut të tij në Ballkanin Perëndimor, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme i BE-së, Josep Borrell, paralajmëroi pako të re të katërt të sanksioneve kundër Rusisë, duke theksuar se ngritja e përbashkët e zërit e anëtareve të tanishme dhe të ardhshme të BE-së për ndërprerjen e agresionit rus në Ukrainë është e rëndësishme për sigurinë e kontinentit.

“Jemi në fund të miratimit të pakos së fortë të katërt të sanksioneve, e cila do të përfshijë masa të reja kundër Rusisë, kundër qasjes së saj në treg, anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare financiare, kriptovalutave, eksportit të mallrave luksoze. Vendimi juaj për mbështetje të masave restriktive të BE-së e tregon qartë përkushtimin tuaj për vlerat e BE-së dhe ju vendos në rrugën drejt Evropës”.

Kur saktë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria edhe zyrtarisht do të nisin rrugën drejt Evropës? Borrell përsëriti se kjo vazhdon të varet nga zgjidhja e kontestit dypalësh midis Sofjes dhe Shkupit.

“Ky është momenti i zgjimit për Evropën, moment kur duhet të ringjallet procesi i zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor fuqishëm në BE. Duhet të fillojmë negociata formale për aderim të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë, sa më shpejt. E përshëndes impulsin e ri në mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, sepse zgjerimi nuk mund të vazhdojë në qoftë se pengohet nga çështje dypalëshe. Nuk mund t’ju premtoj datë, mund t’ju premtoj vullnet, ndërsa ku ka vullnet ka edhe mënyrë”.

Edhe Kryeministri Kovaçevski theksoi se nuk dëshiron të lidhet me data, por me zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.

“Vetë prania e Borrellit jep sinjal të qartë se vendi ynë dhe i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE. Për këtë arsye unë edhe një herë u bëj thirrje të gjitha vendeve anëtare të BE-së se për Maqedoninë e Veriut sa më shpejtë duhet të caktohet datë për organizimin e konferencës së parë ndërqeveritare”.

Borrell paralajmëroi përshpejtim të bashkëpunimit në luftën kundër desinformatave, por edhe ndihmë evropiane për rajonin për diversifikimin e burimeve të energjisë.