Nikola Gruevski, funksionarët e VMRO-së dhe presidenti Gjorge Ivanov, mund të ballafaqohen me sanksione nëse vazhdojnë edhe më tutje të injorojnë thirrjet e Brukselit lidhur me formimin e qeverisë së re të Maqedonisë, përcjell FOL.

Sipas ekspertëve, ndër sanksionet e para mund të jenë ndalimi i levizjës së tyre në shtetet e Bashkimit Evropian dhe ngrirja e pasurisë së tyre.

“Bëhet fjalë për sanksione, që në plan të parë do të jenë personale më shumë se sa ndaj gjithë shtetit. Dhe mendoj se qartë i tregohet Gruevskit çfarë e pret dhe çfarë do të ndodhë.”, u shpreh ish ambasadori, Nano Ruzhin për Alsat M.

Ndërkaq, Kryetari i Këshillit Euroatlantik në Maqedoni, Ismet Ramadani, nuk përjashtoi mundësinë e sanksioneve si individuale por edhe ato shtetërore si embargo të armëve, kufizime financiare, sanksione diplomatike e kufizime tregtare.

Në anën tjetër, për zëdhënësin e VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski, shantazhet e BE-së të përcjella nga euro-komisari Han, nuk janë edhe aq relevante.

“Me Hanin biseduam për disa çështje që ishin aktuale këto muaj, ne ishim të drejtpërdrejt dhe thamë se Maqedonia është e hapur për t’i filluar negociatat me BE-në që nga viti 2009, por ne jemi të bllokuar gjithë këto vite dhe cilat do shantazhe dhe negociata janë irelevante për momentin, sepse Maqedonia pret që nga viti 2009, kurse dikush vazhdimisht na bllokon.”, tha dje Milloshovski, pas takimit me eurokomisarin Han.

Kjo deklaratë e Milloshovskit bashkë me qëndrimin e kryetarit të shtetit, Gjorgje Ivanov, sipas ekspertëve paraqet sinjal i orientimit pro-rus të VMRO-DPMNE-së./Alsat/