Bujqit e Komunës së Gazi Babës dhe Haraçinës, sot kanë protestuar duke bllokuar disa rrugë, pasi akoma nuk i kanë marrë dëmshpërblimet nga dëmet e vërshimeve të vitit 2018.

Në mesin e protestuesve kishte madje edhe bujq, të cilëve nuk u janë paguar dëmshpërblimet për dëmet bujqësore të 2016-tës. Bujqit thonë se nëse kërkesat e tyre nuk marrin përgjigje sa më shpejtë të jetë e mundur, ata do të bllokojnë rrugët çdo ditë, deri sa të realizojnë

Revolta e bujqëve u bë akoma më e madhe, kur gjatë protestës thanë se u ka arritur informacion se pikërisht sot janë paguar dëmshpërblimet për bujqit e disa vendbanimeve të tjera. Ata nuk e kanë të qartë se përse nuk po marrin pagesat që u takojnë, edhe përskaj dokumentacionit që e kanë në rregull, si dhe premtimeve të shumëta se një gjë e tillë duhet të ndodh.

Bujqit mes tjerash kërkojnë edhe solidaritet dhe mirëkuptim nga ana e qytetarëve, duke nënvizuar se këtë reagim po e bëjnë nga mungesa e përkujdesjes së barabartë nga ana e Qeverisë për bujqit e komunave të Gazibabës dhe Haraçinës.

Këshilli organizativ i protestave paqësore të bujqëve nga komunat e Gazibabës dhe Haraçinës, kërkojnë që më së voni deri të marten, më datë 18 shkurt, kërkesat e tyre të marrin përgjigje.