https://youtu.be/39s0KeJD2Gk?t=1

Gjithnjë e më e sigurt është që elita politike do të jetë nën presion kohor për afatet e marrëveshje së Përzhinës, konsideron profesori universitar, Nano Ruzhin. Pikërisht për shkak të kësaj, ditëve të fundit shpesh i dëgjojmë porositë e  Brukselit, e në lidhje  me këtë është paralajmëruar edhe vizita e eurokomesarit Johanes Han. Megjithatë sipas profesorit Ruzhin, akoma çdo gjë është në lojë, respektivisht, është e mundshme që zgjedhjet të mbahen por edhe të prolongohen.

“Ai gjatë kësaj vizite edhe njëherë do ta theksojë rëndësinë e PPS-së e cila prej të gjitha anëve po merr mbështetje. Tema e dytë do të jenë mediat dhe vlerësimet e tij për reformat e caktuara që janë pjesë e Përzhinës. Kurse e treta, supozoj do të jenë propozime në lidhje me atë se çfarë mund të bëhet me njësinë e gjashtë zgjedhore. Këto janë temat për të cilat do të flitet”, u shpreh Nano Ruzhin, Profesor Universitar.

Një nga çështjet kyçe e cila është pjesë e marrëveshjes së 31 gushtit, por që mbeti pa zgjidhje  para mbajtjes së zgjedhjeve ka të bëjë me Gjykatën Kushtetuese e cila duhet të deklarohet për kushtetutshmërinë e PPS-së. Duke e ditur që për këtë çështje nuk janë vënë afate, nuk mund të thuhet me siguri të plotë nëse kjo pikë e marrëveshjes do të realizohet. Nëse iniciativa merr epilog negativ, atwherw nuk do të kishte kohw tw majftueshme për nisjen e procedurës e cila parasheh iniciativë me ndryshime ligjore, debat publik si dhe debat në Komisionin përkatës, shtoi profesori i së drejtës Temelko Risteski.

“Nëse ekziston vullnet politik, edhe për atë kohë të shkurtër, procedura do të mund të zbatohet. Vendimmarrësit politikë, Kuvendi por edhe Gjykata Kushtetuese janë shërbim i qytetarëve dhe ata duhet t’i respektojnë interesat e tyre. Se ata janë shërbim i qytetarëve parashihet edhe në Nenin 2 të Kushtetutës”, tha Temelko Risteski, Profesor universitar.

Përndryshe, bashkësia ndërkombëtare është garantues  i Marrëveshjes së Përzhinës e cila u arrit mes katër partive politike në Maqedoni në qershor/korrik të vitit të kaluar, kurse u ri plotësua në gusht të këtij viti. Është paralajmëruar që eurokomisari Han do të vizitojë Maqedoninë të premten me qëllim konstatimin se marrëveshja do të respektohet dhe se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 11 dhjetor. Vizitës së paralajmëruar të Hanit i kanë paraprirë porositë e ambasadorëve të SHBA-ve dhe BE-së në Maqedoni drejtuar udhëheqësve politikë në lidhje me atë se marrëveshja duhet të zbatohet para zgjedhjeve./Tv21