Qendra për liri “Civil” ka reaguar pas shpalljes së zgjedhjeve për më 5 qershor. Sipas Petrit Saraçinit nga kjo qendër, akoma nuk janë krijuar kushte për zgjedhje të lira dhe kredibile. Ai madje tha se përshkallëzimi i gjendjes në vend paraqet argument kyç se në Maqedoni nuk mund të organizohen zgjedhje të lira dhe demokratike.

“Raportet e Civilit nga tereni po tregojnë për abuzim të përditshëm të administratës shtetërore, për shantazhe e kërcënime drejt të punësuarve në institucionet e shtetit, drejt të gjitha kategorive të rrezikuara të njerëzve. Po ashtu jemi duke regjistruar një ambient tërësisht të okupuar mediatik ku ndikimi i pushtetit është evident. Situata politike, kriza politike në vend po thellohet. Revolta e qytetarëve, thellimi dhe përshkallëzimi i tensioneve në këtë kontekst po ashtu janë fakte të cilat flasin për një ambient i cili nuk mundëson zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe kredibile kur të gjithë aktorët do të mund të garojnë në mënyrë të barabartë”, deklaroi Petrit Saraçini, CIVIL.