Parashikimi meteo-gjeopolitik për vitin 2020 është se në hemisferat Euro- Atlantike dhe Euro- Aziatike do të dominojë klima të ndryshueshme. Pasojat e përplasjeve të ciklonit veri-përendimor me atë veri-lindor, do të ndihen edhe në Ballkanin jugor.
Në fillim, akulli polar do të ftohë jo vetëm kontinentin, por edhe ujërat e nxehta mesdhetare. Vetëm nga gjysma e dytë e vitit, fryma atlantike do e kthjellojë qiellin Evropian. Mirëpo, mjegulla e Brukselit, as këtë vit nuk do të shpërndahet nga dielli Ballkanik. Do të kemi, pra një vit dinamik me zgjedhje presidenciale në SHBA e Ballkan dhe ndryshime në BE dhe NATO: i pari do të zvogëlohet për një anëtar, e dyta do të shtohet për një më shumë.
Trump do të luftojë për mandatin e dytë, Johnson për mandatin e parë- jashta BE-së, Merkel do të mbetet pa mandat, e Macron do të luftojë për mandat të liderit evropian: me “sovranitet evropian” e ushtri evropiane – karshi NATO-s. Kryeminstri Britanik, Johnson, ndonëse ruajti postin, do ti mbetet ta ruaj Britaninë e Madhe. BREXIT, hapi rrugën për daljen nga BE, por edhe SCOTEXIT, për daljen e Skocisë nga Mbretëria e Bashkuar.

Në maj, vështirë që, Samiti i Zagrebit për Ballkanin Përendimor, do ta shpërndajë mjegullën e Brukselit nga rajoni, sepse vetë Ballkani, do të kalojë nëpër një vit elektoral, me kriza qeveritare që do të vonojnë reformat evropiane. Pranvera politike ballkanike do të vonohet, për aq sa diplokracia do të amnestojë shtetarët e kapur nga oligarkët mafiozë.
Duke toleruar kriminelët shtetëror, ndërkombëtarët ndoshta do të mbajnë stabilitetin, por do të humbin rajonin: ku askush më nuk i beson karrikaturës së gjyqësorit, e ku sundimi i shtetarit është mbi sundimin e ligjit.

Edhe në 2020, do të vazhdojë zbrazja e shtetit, paralelisht me mbushjen e sirtareve gjyqësor me lëndët e pluhërosura. Gjermania, nga 1 marsi do i hap kufijtë për punëtorët ballkanik, por nga 1 korriku do i mbyllë për emigrantët aziatik. Kështu, Ballkani do të zbrazët nga ballkanasit, e do të mbushet nga jo-ballkanasit. Pas mbylljes së kampeve në Turqi, rajoni do të shndërrohet në strehimore refugjatësh- para kufinjëve të BE-së.
Dialogu Kosovë- Serbi edhe nëse rinis në fllim të vitit, vështirë do të përfundojë në fund të tij. Trump do të preferojë një “Camp David Ballkanik” – para fillimit të fushatës presidenciale; por tetë vite të “Dialogut të Brukselit”, vështirë do mund të finalizohen me tetë muaj të “Dialogut të Uashingtonit”. Në shkurt, me samitin përmbyllës në Beograd, Serbia do të bëjë përpjekjen e fundit që me “Unionin Ballkanik”, ta zëvendësojë Unionin Evropian, e në favor të Unionit Euro- Aziatik.
Ndërkaq, në fund të vitit, uragani Atlantik, do i shtyej erërat Siberiane- jashta Ballkanit.
Urime festat e fundvitit, urime 2020!