Rreth 7 mijë teste të reja që shërbejnë për të testuar pacientët që dyshohen se janë infektuar me coronavirus (COVID-19), pritet të arrijnë në Kosovë këtë javë.

Kështu ka bërë të ditur, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia gjatë një konferencë për medie javën e kaluar.

Vitia ka thënë se në stokun e mikrobiologjisë molekulare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë janë rreth 1 mijë teste, ndërsa kanë porositur me urgjencë edhe 7 mijë të tjera.

Por, sipas ministrit ata do të vazhdojnë të bëjnë të tjera porosi edhe pas këtyre që do të vijnë.

“Janë edhe rreth 1 mijë teste në stokun e mikrobiologjisë molekulare në IKSHP, dhe pardje me urgjencë janë porositur edhe 7 mijë të tjera që priten të vijnë javën që vjen, por ndërkohë janë është përgatitur kërkesa edhe për teste shtesë pas këtyre. Kemi siguruar edhe një aparat për realizimin real-time PSR testeve”, tha Vitia në konferencën për medie të mbajtur më 19 mars.