Trajneri i Kombëtares Gianni De Biasi nuk ka qenë aspak komod teksa shpjegonte listën përfundimtare me 23 lojtarët që ka marr në ‘Francë 2016’.
Sipas tij, zgjedhjet që bëri ishin të vështira, por ai mendon se ka këto emra i ka zgjedhur në bazë të vlerësimeve të detajuara.

“Lojtarët e dinin se çfarë i priste dhe cilat ishin kriteret e zgjedhjeve. Ju drejtova me sinqeritet, i pashë në sy dhe iu komunikova zgjedhjet”, u shpreh ai.

Kurse lidhur me ‘përjashtimin’ nga lista përfundimtare të Berat Gjimshitit, De Biasi nuk hezitoi, por u përgjigj shkurt; “Ka një vit që nuk luan!”.

Diskutimi me gazetarin e ‘SuperSport’ ndryshon kur pyetet për Milot Rashicën. “Është një lojtar i ri, por nuk ka qenë shumë me ne. Kam shumë besim tek ai, do të jetë e ardhmja e Shqipërisë”, thotë De Biasi.
Pas këtij momenti, trajneri i Kombëtares nuk ka dashur më të vijojë me shpjegimin se përse përjashtoi 4 lojtarët, Gjimshitin, Rashicën, Rrahmanin e Shalën.

Por theksoi se këto janë zgjedhjet e tij: “A mundem të bëj zgjedhje? A mundem?”, tha ai i nervozuar.