https://youtu.be/AxmBbKDA2KE?t=29

Debati në “Click Plus” u zhvillua në një vend jo të zakontë, ashtu siç është e jashtëzakonshme edhe deponia e mbeturinave në hyrje të Tetovës. Tre mysafirët e ftuar e vlerësuan si të turpshëm faktin që qyteti i dy universiteteve të merret me problemin e deponive.

Profesori Jusuf Mustafai thotë se problemi me ndotjen nuk ka të bëjë me politikën, por me tetovarët.

Ai rikujton administratën aktuale se ka përgjegjësi për zgjidhjen e kësaj bombe ekologjike.

“Do të kisha dashur të apeloj te administrata aktuale, zgjedhjet vinë shpejt. Të gjithë ata që vinë pas, një herë e përgjithmonë këtë problem ta zgjidhin, është turp Tetova e dy universiteteve me problem deponie. Është me të vërtetë nënçmim për të gjithë qytetarët e Tetovës, jo për votuesit e një partie, apo një partie tjetër”, u shpreh Jusuf Mustafai, pofesor universitar.

Organizatori i protestës së fundit në qytetin e Tetovës, Artan Etemi kërkon që komuna ta  dislokojë përfundimisht këtë deponi. Sipas tij, është irrituese se si është e mundur kur në Shkup bisedohet për stilin arkitekturore, kurse në Tetovë të bisedohet për deponi.

“Në komunën qendër diskutohet për qendrën tregtare se a do të jetë në stil barok, klasik, apo në ndonjë stil tjetër. Do të doja të jem pjesë e një debati ku do të bisedohej për këtë parcelë ku hedhën mbeturinat që të jetë ndonjë park i gjelbër apo do të ishte ndonjë fushë sportive, apo ndonjë qendër rekreacioni, por fatkeqësisht neglizhenca e komunës së Tetovës, duke mos anashkaluar edhe institucionet tjera siç është ministria e ekologjisë, na kanë sjellë në këtë hall”, shtoi Artan Etemi, Kryetar i bashkësisë lokale.

Arianit Xhaferi nga organizata Eco Guerilla tha se shpreson që radhën tjetër debati “CLICK PLUS” të zhvillohet në të njëjtin vend, por të shndërruar në park. Ai bëri thirrje që sa më shpejt të ketë zgjidhje për shmangien e kësaj katastrofe ekologjike.