Kryetari i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari, ka bojkotuar aktivitetin e sotëm gjatë të cilit në Zonën e Lirë Ekonomike në Kërçovë është promovuar investimi i kompanisë Key Safеty Systems. Bojkoti ka marrë karakter ndërpartiak për shkak se në delegacionin qeveritar që merr pjesë në promovimin e këtij investimi është edhe ministri i ekonomisë, Bekim Neziri (aty do të jetë edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski).

Pikërisht prezenca e tij ka qenë shkak për bojkotin që e ka bë Dehari, thonë për “Lajm” burime të afërta me të.

“Bekim Neziri nuk është zgjedhur kryetar shtabi në pajtim me statutin e partisë, prandaj Dehari nuk e njeh atë si kryetar legjitim të shtabit zgjedhor partiak. Poashtu Dehari nuk e ka të qartë se pse në këtë promovim është ftuar Gruevski, kur ai tani është vetëm kryetar i një partie”, thonë këto burime.

Dehari bashkë me Hazbi Likën udhëheqin krahun partiak në BDI që kërkon reformat të thella dhe rrënëjësore në parti. Ata insistojnë të largohen kuadrot partiake që gjatë koalicionimit me VMRO-PDMNE-në janë futur në afera korruptive duke dëmtuar imazhin e partisë.