Këta fëmijë kanë frikë të kalojnë mbi rrugën e vërshuar, për të shkuar në shkollë. Në fshatin Ropalcë, reshjet e shiut kanë shkatërruar këtë aks, duke hapur hendekë në rrugën që lidhë Komunën e Likovës me komunat tjera. Banorët thonë se edhe më parë, reshjet e shiut kanë bllokuar qarkullimin dhe sipas tyre nuk është ndërmarrë asnjë hap për sanimin e rrugës, transmeton TV21.

“Këtu uji i madh mbrëmë ka qenë, mirëpo deri tash askush nga organet kompetente nuk kanë ardhur për të shikuar. Fëmijët nuk mund të shkojnë në shkollë, pleqtë nuk mund të shkojnë në xhami. Kjo duhet të rregullohet, se edhe me vetura vështirë se mund të kalohet”, u shpreh Iljaz Salihu, banor i fshatit.

Pleqtë e fshatit, pas faljes së namazit të drekës, duke kaluar më vështirësi nëpër rrugën e vërshuar, iu drejtuan dyerve të Komunës së Likovës. Aty kërkuan një takim me kryetarin Sadulla Duraku për t’iu ankuar në lidhje me problemet në të cilat po hasin. Por, Duraku nuk mori përgjegjësi, dhe u shpreh në këtë mënyrë:

“Komuna e Likovës, kontratë me Zotin nuk ka lidhë, se a do të ketë vërshime e sa borë do të bie. Meqenëse ajo është rrugë rajonale ne e kemi njoftuar me shkrim Drejtorinë për mirëmbajtjen e rrugëve rajonale për këtë gjendje”.

Edhe veturat kanë vështirësi të kalojnë nëpër rrugët e dëmtuara. Ky banor shprehet i pakënaqur me institucionet përkatëse për shkak të mos-ndërtimit të një ure në mes të fshatit.

“Problem me vërshimet kemi çdo herë kur ka të reshura të shiut. Askush nuk vjen të interesohet për problemet tona, por vetëm në kohën e zgjedhjeve, vijnë për vota. Për vota të gjithë vrapojnë, por për hallet tona nuk i intereson askujt”, tha Ismail Bekteshi, banor.

Vërshime të tilla, ka pasur edhe në fshatrat tjera të kësaj zone. Kurse në vjeshtën e kaluar, në fshatin Nakushtak, që është afër me Ropalcën, patën humbur jetën dy fëmijë të vegjël gjatë përmbytjes që e përfshiu fshatin. (TV21)

https://youtu.be/Dgx-AS4bwQk?t=85