Kur para katër vjetësh vendosa të trajtoj shtrirjen e ekstremizmit fetar në Kosovë, jo pak kolegë të mi më akuzuan se po e bëj të madhe këtë punë dhe se Kosova nuk rrezikohet nga kjo ideologji.

Kësisoj, vendosa të dal në terren, të shkoj nëpër shtëpi të imamëve radikalë, në organizata që financonin individë dhe grupe të ndryshme… Për tetë muaj me radhë, nëpër Kosovë kam shkuar derë më derë.

Teksa analistët shitnin mend prej kafeve për zhvillimet politike, unë i hyra kësaj sfide, në të cilën e implikova edhe tim bir Andin, atë kohë 7 vjeç. Me të shkuam në Maqedoni, në ambient aspak të favorshëm për trajtim të kësaj teme. Jo kolegët, por askush, përpos familjes, nuk më ka mbështetur në këtë rrugëtim që më ka terrorizuar.

Kam qenë deri në Londër për t’i identifikuar burimet e financimit në Kosovë, kam takuar me dhjetëra herë të njëjtët persona të prekur nga ky fenomen. Dhe, a e dini se kush kanë qenë mbështetësit e mi: 2 – 3 imamë që të parët janë prekur nga ekstremistët, janë rrahur e dërmuar.

Në vitin 2013, një fotografi imja është shndërruar në fatva nga ana e grupeve radikale, duke marrë mbi 5 mijë “like” nën akuzën për “islamofobi”.

Katër vjet me radhë, rrugëtimi im drejt zbardhjes së problemit të radikalizmit islamik më ka dërguar në katunde, qytete, e shtete ku jam takuar me prindër e fëmijë të tyre të rekrutuar, me rekrutuesit, ekstremistët e radikalët e shumtë në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri.

Sot, fotografitë e fëmijëve të mi keqpërdoren nga radikalët nëpër rrjete sociale. S’reagon askush, as Asociacioni i kolegëve të mi gazetarë, i cili e ka njërën nga shtyllat kryesore të funksionimit të tij: mbrojtjen e gazetarëve, punën e tyre.

Me qindra kërcënime të të gjitha formave, tashmë janë deponuar në polici.

Ju analistë, e së voni trumbetues të rrezikut nga radikalizmi, keni heshtur! Keni heshtur, edhe kur gratë shqiptare janë quajtur “kurva”, edhe kur kanë dalë video duke iu vënë shami mbi kokë vajzave 4-5 vjeçare, keni heshtur kur me emra e mbiemra janë linçuar nga këto grupe ata pak gazetarë që patën guximin të merren me këtë temë.

Keni heshtur kur është rrahur Xhabir Hamiti, kur i është djegur vetura imamit Musli Verbani, kur është rrahur Osman Musliu, kur është kërcënuar Zuhdi Hajzeri… Keni heshtur, teksa arsyet ju i dini!

Sot, një dyzinë janë shndërruar në ekspertë të islamit. Unë i jam falënderuese shumë laikëve dhe jo vetëm atyre, po ashtu dhe praktikuesve të islamit që më kanë ndihmuar për më shumë se 4 vjet në trajtimin e kësaj teme.

Sot, ndihem mirë që ka një reflektim të krijuesve të opinionit publik, por edhe të një pjese solide të atyre që janë zhytur thellë në delirin e kolltukut.

Më vjen mirë që jeni zgjuar nga kllapia! Unë jam gazetare dhe jo VIP, nuk pres medalje nga askush, por s’po mund ta duroj demagogjinë e disave prej jush!

Do të vazhdoj të merrem me këtë temë, sepse nuk e kam ndërmend të iki nga Kosova. Pra, dua t’i rris Andin e Artin këtu, në një Kosovë më të mirë, që sundohet nga vlerat evropiane dhe ku çmohet angazhimi qytetar!