Dhjetëra të vdekur në Evropë për shkak të temperaturave ekstreme

Temperaturat e skajshme kanë përfshirë të gjithë Evropën dhe kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 24 vetëve gjatë dy ditëve të fundit, duke përfshirë edhe disa emigrantë dhe njerëz të pastrehë.

Pesë turistë portugezë vdiqën dhe 27 të tjerë u lënduan sot para agimit, kur autobuzi i tyre u përplas jashtë një rruge të akullt në Francë.

Autobuzi 40-vendësh po shkonte në Zvicër. Sipas autoriteteve, dukej se shoferi humbi kontrollin e automjetit, për shkak të akullit në rrugë.

Dhjetë vetë vdiqën në Poloni, ku temperaturat kanë qenë aq të ulëta dhe kanë arritur minus 14 gradë Celsius.

Në Itali njoftohet nga autoritetet se i ftohti është arsyeja për shtatë të vdekur, duke përfshirë pesë të pastrehë, dy prej tyre polakë.

Dëbora e madhe në Italinë qendrore dhe juglindore detyroi mbylljen e aeroporteve në Bari dhe Brindizi si dhe në Siçili.

Shërbimet emergjente të Pragës njoftuan tre vdekje – dy njerëz të pastrehë dhe një roje parkingu.

Temperaturat në Moskë ranë në minus 30 gradë gjatë natës dhe në minus 24 në Shën Petersburg, ku policia gjeti trupin e një njeriu i cili kishte vdekur nga hipotermia.

Dëbora e madhe ka paralizuar Stambollin, dhe kompania ajrore Turkish Airlines ka anuluar qindra fluturime.

Autoritetet parashikojnë që numri i të vdekurve të rritet sepse temperaturat e ulëta priten të mbeten të pandryshuara në ditët e ardhshme.