Bora dhe temperaturat polare janë bërë problem shtesë për banorët e Hasanbegut, të cilët akoma nuk kanë rregulluar shtëpitë e dëmtuara nga vërshimet e vitit të kaluar. Ata thonë se po jetojnë në dhoma të ftohta, ndërkohë që rreth 100 familje akoma qëndrojnë në konviktin “Tome Serafimovski Seniç” në Autokomandë.

“Ka vështirësi disa familje ende janë duke pastruar, disa janë duke jetuar ende në konvikte. Ndokush ka filluar të përmirësojë diçka, por koha nuk na mbanë. Besojmë të bëhet mirë të përmirësohet pak koha, të dalim në pranverë dhe të kemi shëndet”, u shpreh një banor.

Një ndër problemet për banorët e dëmtuar të Hasanbegut është edhe mos kompensimi i dëmeve. Ata thonë se nga mjetet e pakta që kanë marrë nuk mund as të fillojnë me rinovimin e shtëpive.

“Dëmet janë kompensuar por sikurse janë bërë procesverbalet nuk janë, kemi bërë ankesa por asgjë, diku kanë shkuar. OJQ ndihma na kanë sjellë ushqime, mjetet për pastrim e shumë gjëra jemi të kënaqur, ndërsa nga institucionet shtetërore pak jemi të kënaqur na kanë thënë se 100% do të kompensohemi, ne duam edhe 50 % të kompensohemi, diku janë kompensuar 10% e 15%””.

“Nuk kanë shkuar paret aty ku është dashur më tepër, është një familje në fshat ju kanë lëshuar 500 euro tash shteti i kërkon ti kthej mbrapa 300 euro për arsye se kanë gabuar. Ato të cilat i ka dhënë shteti i kanë marrë disa ndërsa disa s’kanë marrë asgjë pa marr parasysh se sa ajo është një ndihmë sociale e jo ndihmë katastrofe”.

“Prej kompensimit nuk jemi të kënaqur aspak as 20 % si kanë paguar pagesat. Me mjetet që i kanë lëshuar kemi bërë pastrimin e shtëpisë elementet shtëpiake, orenditë ato kanë mbetur jashtë”.

“Unë edhe për 20 vite nuk do të mund ta marr veten. Me 1500 euro çka të bëjë të blej mobilje apo të ndërtosh diçka brenda, apo të rregullosh me mallter shtëpinë. Ne presim të na kompensojnë por mendoj se nuk do të na kompensojnë. Në Stajkovcë nga 1 milion ju kanë dhënë ndërsa neve asgjë. Unë kam shpenzuar 10 mijë euro deri tani dhe nuk kam arritur të rregulloj asgjë 3 dhoma i kam bosh”.

Nga Vërshimet e gushtit të vitit të kaluar pësuan mbi 5 mijë familje, për të cilët Qeveria ndau 2 miliard e 400 mijë denarë./Alsat-M