Valltarja më e përfolur në Kosovë Donjeta Kosumi, e cila njihet me emrin e saj Kallashi, nuk do të mund të vallëzoj për një kohë në lokalin “Kobra City”

Në orën 04 të mëngjesit të sotëm këtij lokali i është vënë flaka nga tre persona që ende nuk janë kapur nga Policia e Kosovës.

Këtë për KosovaPress e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit Hazir Berisha.

Ai, tregon detajet që deri më tani ka arritur të mësoj nga provat e para që ka marrë policia, ndërsa tregon se valltarja Donjeta Kosumi nuk ka qenë në lokal gjatë kësaj kohe.

Në orën 04, kur menaxherët e këtij lokali ishin bërë gati që ta mbyllin lokalin ishin futur tre persona dhe kanë nisur të përleshën me ta. Pas përleshjes, gjithmonë sipas policisë, tre të dyshuarit kanë nisur të ushtrojnë dhunë ndaj menaxherëve të lokalit.

Berisha, thotë se të dyshuarit po ashtu kanë lidhur me zinxhirë tre personat që kanë qenë në lokal. Për KosovaPress, ai thotë se njëri prej menaxherëve ka marrë lëndime të rënda pasi që i ja në thyer shtatë dhëmbë.

“Tjetri ka shpëtuar me lëndime të lehta”, thotë Berisha.

Por nuk janë ndalur me kaq. Të dyshuarit pas kësaj kanë përdorur benzinë për t’i vënë flakën lokalit.

Të dyshuarit, sipas zëdhënësit Berisha janë larguar në drejtim të panjohur dhe deri më tani policia nuk ka arritur t’i identifikoj dhe t’i arrestojë.

“Janë larguar në drejtim të panjohur. Kanë reaguar njësitet e policisë posa kanë marrë lajmin. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe ekipi i zjarrfikësve”, tha Berisha për KosovaPress.

Ai, po ashtu tha se për ngjarjen janë lajmëruar të gjithë akterët kompetentë për këtë rast.