Agim Veliu ishte i bindur se LDK-ja do të fitonte në zgjedhjet e parakohshme lokale në Podujevë, qytetin në veri-lindje trë Kosovës ku deri në fund të nëntorit të vitit të kaluar s’kishte humbur kurrë. Atij s’i dolën mirë llogaritë, kur më 29 nëntor të vitit paraprak LDK-ja i humbi zgjedhjet, të cilat i kishte shkaktuar po Veliu, pasi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit për t’u bërë ministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, e të cilën pozitë vazhdoi ta mbante edhe në Qeverinë e udhëhequr nga bashkëpartiaku, Avdullah Hoti.
Qeveria, pjesë e së cilës është Veliu, u rrëzua përmes një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila urdhëroi mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Kjo gjykatë gjeti parregullsi në votimin e Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, i cili e mori detyrën e kryeministrit në qershor. Tani, Veliu nuk e di ende konkretisht të ardhmën e tij politike. Ai s’e di nëse do të kandidojë për deputet në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që janë caktuar të mbahen më 14 shkurt.
Në një përgjigjje, ai tha se s’ka ende asgjë konkrete lidhur me këtë çështje.
“Jemi në proces… Sa të kam konkrete diçka, ju informoj”, tha Veliu.
Menjëherë pas shpalljes së rezultateve preliminare më 29 nëntor, ish-kryetari i Podujevës, Agim Veliu tha se në proceset tjera zgjedhore, Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i kthehet fitores.
“Ne kemi edhe potencial, edhe anëtarësi dhe jemi të përkushtuar që të punojmë për LDK-në, të vazhdojmë të punojmë, pa rreshtur, siç kemi punuar këto 30 vite”, ka deklaruar ai.
Të nesërmen, Veliu sërish i kishte dhënë rëndësi “rikthimit” të LDK-së.
“Vitin e ardhshëm beteja e re politike do të na gjej më të përgatitur, më unik dhe më të fortë se kurrë. Kthimi i LDK-së në Podujevë nuk ka alternativë!”, kishte shkruar Veliu në Facebook.
Në një takim me Kryesinë dhe strukturat e Degës së LDK-së në Malishevë dje, Veliu tha se “bashkë biseduam për zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit, përgatitjet dhe koordinimet e përbashkëta që do t’i kemi”. Ai u shpreh se LDK-ja synon të dalë e para në këto zgjedhje.