Për të disatin vit me radhë, një numër i madh i përfaqësive diplomatike të Maqedonisë në botë vazhdojnë të jenë pa ambasador. Bëhet fjalë për vendet e Evropës si Norvegjia, Polonia, Franca, Mali i Zi, Bosnja Hercegovina, Zvicra, Spanja, Katari dhe Republika Popullore e Kinës. Pa konsull është edhe konsullata në Gjermani. Këto përfaqësi diplomatike që aktualisht janë në duart e ushtruesve të detyrës, nga ndarja jozrytare e kulaçit mes partive të pushtetit, ju takojnë diplomatëve shqiptar. Mospërzgjedhja e tyre, është shkak i mos-njohjes së presidentit Ivanov nga ana e BDI-së. Ish ambasadori, Nano Ruzhin, thotë se kjo gjendje e diplomacisë së vendit, krijon imazh të keq për vendin, në misionet diplomatike në botë.

“Gjithmonë kur nuk ekziston ai person dhe kur përfaqësoheni me ushtrues detyre ose nivel më të ulët, shteti, sipas rregullave të zakonshme diplomatike nuk do të jetë e përfaqësuar në ngjarjet e ndryshme protokolare si ambasadat e tjera të vendeve të tjera. Shteti mikpritës mundet që atë ta kuptojë si nënçmim nga ana e shtetit që duhet të dërgojë përfaqësues”, tha Nano Ruzhin, ish ambasador.

Ruzhin vlerëson se thelbi i problemit qëndron te ndërhyrja e politikës në diplomaci, kurse BDI duhet të gjejë mekanizma që në emër të interesave shtetërore, ta tejkalojë atë.

“Fillimisht, që partitë politike të merren vesh se kush do të jetë ambasador, praktikisht është vulgarizim i politikës kadrovike të diplomacisë. Në ambasada duhet të shkojnë më të aftët, por zakonisht ata nuk janë anëtar të partive politike. BDI-ja duhet të gjejë instrument të caktuar bashkë me presidentin që nuk e njohin, në emër të interesave më të larta shtetërore, të tejkalohet çështja”, u shpreh Nano Ruzhin, ish ambasador.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme, nuk ju përgjigjën pyetjeve të Alsat, nëse së fundmi ka shqyrtuar emërimin e diplomatëve të ri në krye të përfaqësive diplomatike në botë dhe pse çështja mbahet peng për disa vjet. Thuajse një vit më parë, vetë ministri Popovski premtoi zgjidhje të shpejtë të problemit.

“Në asnjë mënyrë nuk duhet që këtij problem t’i jepet karakter etnik sepse nuk ka të tillë kurse shpresoj që me mundësinë e emërtimit të shefave në ata përfaqësi do të absorbohet edhe kjo pyetje dhe mendoj që është në interes edhe të ministrisë edhe të komisionit parlamentar është që kjo të ndodhë sa më shpejt”, deklaroi kohë më parë Nikolla Popovski, Ministër i jashtëm.

I vetmi ambasador shqiptar i Maqedonisë, edhe më tej është Naim Memeti në Danimarkë, kurse asnjëherë nuk jemi përfaqësuar me një diplomat shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë/Alsat-M