Pas 9 ditësh paraburgimi, dje në orët e vona të mbrëmjes u lirua Gafurr Dugolli, shef i protokollit të Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë së Kosovës. Në dalje të burgut të Shkupit Dugollin e priti vëllai i tij Bujari dhe ambasadori kosovar në Maqedoni Ylber Hysa. Gafurr Dugolli rikujtoi se lufta e Kosovës ka qenë një ideal i pastër për të cilin askush, e aq më pak shteti serb, nuk mund ta akuzojë asnjë pjesëtar të UÇK-së.
“Nuk është puna e një Gafurr Dugollit, është puna e një kauzë më të madhe. Nëse ajo luftë që e kemi bërë për lirinë e Kosovës është gabim, atëherë le të na fusin në burg të gjithë shqiptarëve. Nuk kam diçka tjetër të shtojë pasi që jam shumë i lodhur”, ka thënë Gafurr Dugolli.
Bujar Dugolli dhe Ylber Hysa kërkuan që këto probleme të tejkalohen me bashkëpunim të ndërsjellë të Maqedonisë dhe Kosovës, pasi është e palogjikshme që shteti serb të lëshojë fletarrest për një shtetas kosovar, duke pretentuar se Kosova është ende territor i saj, sidomos nëse merret parasysh se Maqedonia tashmë e ka pranuar Kosovës si shtet i pavarur. Apeluan deri tek Qeverisa e Maqedonisë dhe vendeve të tjera fqinje që të mos zbatohen fletarrestet e lëshuara nga shetit serb ndaj shtetasve të Kosovës, pasi që listat e këtij shteti janë në kundërshtim me të gjitha aktet juridike dhe praktikat ndërkombëtare”
“Mendoj se këto çështje duhet të mbyllen mes dy shteteve, Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë dhe shqiptarët këtu pjesëmarrës në institucionet e shtetit duhet ti kontribojnë që në të ardhmen të ketë edhe marrëveshje edhe pse Kosova nuk është pjesë e Interpolit, të zgjidhen këto çështje. Ky rast le të jetë element që të dy qeveritë ti hapin sytë dhe ti rregullojnë këto çështje që mos të ketë raste të tilla, ndalesa të ish pjesëtarëve të UCK-së pasi që lufta e Kosovës ka qenë luftë e drejtë dhe si e tillë duhet të trajtohet edhe nga shtetet fqinje”, ka deklaruar Bujar Dugolli, vëlla i Gafurr Dugollit.
“Neve na vjen mirë që drejtësia në këtë vend i jep shansë mirëkuptimit. Kosova nuk ka çfarë të fsheh për luftën e sajë, por e konsiderojmë se kjo ishte një padrejtësi, për faktin që pretendohet një lloj akuzë në një territor i cili nuk është nën jurisdiksionin serb. Kosova është e njohur nga Maqedonia, ka marrëveshje bilaterale me të dhe neve na vjen mirë që drejtësia edhe në këtë formë publike triumfoi”, ka thënë ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa.
Gafurr Dugolli u arrestua më 11 mars, pas një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, duke pretenduar se ka bërë krime lufte në Kosovë. Prokuroria Themelore e Shkupit i caktoi Dugollit paraburgim 30 ditësh derisa të vërtetohet identiteti i tij dhe derisa Ministria e Drejtësisë të vendosë për ekstradim apo refuzim të kërkesës së Beogradit./shenja