Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Gianni De Biasi, kërkoi një dhuratë dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ia realizoi dëshirën. Në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të zhvilluar ditën e premte është marrë vendimi për rritjen e pagës së numrit 1 të stolit kuqezi, pavarësisht ekzistencës së kontratës që e lidhte trajnerin me ekipin shqiptar deri në përfundim të Eliminatoreve të Botërorit 2018. Një tjetër vendim lidhet me rritjen e bonusit për lojtarët e Kombëtares, të cilët do të përfitojnë plot 2.7 milionë euro.
Paga për De Biasin
Sipas burimeve nga Federata Shqiptare e Futbollit, De Biasi do të përfitojë një pagë prej 1 milion eurosh në sezon, ku sipas të dhënave thuhet se është 60 për qind më të lartë se kontrata që ai kishte, megjithëse asnjëherë nuk është deklaruar zyrtarisht rroga e tij. Duke u bazuar në këto shifra, sipas një përllogaritjeje të thjeshtë rezulton se atij i është rritur paga me 375 mijë euro për sezon. Në intervistën ekskluzive dhënë për Supersport në mbyllje të vitit 2015, De Biasi shprehu besimin se presidenti Duka do të merrte një vendim për përmirësimin e termave ekonomikë të kontratës dhe pritja zgjati vetëm disa ditë pasi tashmë trajneri italian do të punojë me një kontratë të ndryshuar në aspektin ekonomik. Rritja e pagës së trajnerit italian nuk është bonusi i vetëm që federata ka adresuar në llogari të trajnerit, pasi në përfundim të eliminatoreve të Euro 2016 ai përfitoi edhe 200 mijë euro bonus për kualifikimin.
Çeku i futbollistëve
Në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv është marrë një tjetër vendim i rëndësishëm që lidhet me shpërblimin e futbollistëve të Kombëtares për realizimin e objektivit, kualifikimin në Euro 2016. Ndonëse presidenti Armand Duka, në mbrëmjen e 11 tetorit të vitit të shkuar nga Jerevani i Armenisë do të deklaronte, se lojtarët e Kombëtares do të përfitonin shumën prej 2 milionë euro për suksesin e arritur, mësohet se tashmë kjo shumë është më e madhe. Në mbledhjen e djeshme të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, pas diskutimeve të shumta është vendosur, që shuma e shpërblimit për kuqezinjtë e Kombëtares, për kualifikimin në Euro 2016, nga 2 milionë sa ç’u tha në fillim, të shkojë në 2.7 milionë euro. Kështu, 32 futbollistët kuqezinj që janë aktivizuar gjatë këtij eventi, si dhe stafi i tyre, mbi bazën e kontributit dhe minutave të luajtura, tashmë do të shpërndajnë ndërmjet tyre shumën prej 2.7 milionë eurosh, si shpërblim për suksesin e tyre të arritur.
Drejtor italian
Po ashtu, FSHF ka vendosur që Paolo Tramexani, krahas detyrës së zëvendëstrajnerit të Kombëtares kuqezi, tashmë do të jetë edhe drejtori teknik i FSHF. Detyra e tij e re do të ketë të bëjë me hartimin e një strategjie për zhvillimin e futbollit shqiptar. Tramexani pritet të ndërtojë një plan të detajuar stërvitor që t’ua japë trajnerëve të ekipeve kombëtare të moshave, i cili do të jetë i unifikuar në koncept dhe i detyrueshëm për t’u zbatuar nga të gjithë trajnerët e ekipeve, në funksion të ekipit të parë të Kombëtares.

biasi