Ai është një “xhevahir” që meriton shumë lëvdata: EHang 184 mund të transportojë deri në 125 kilogramë ngarkesë deri në 30 kilometra distancë. Por inovacioni, duket se do të sjellë me vete edhe shumë probleme me legjislacionin e trafikut ajror

Droni model EHang-184, duket si një smart me tetë helika. Ai është droni i parë autonom që mund të përdoret realisht në transportin e njerëzve. Fluturaku rreth 1,40 metër i gjatë, është prezantuar nga prodhuesi kinez i dronëve, EHang në “Consumer Electronics Shoë” (apo siç njihet ndryshe, panairi i elektronikës në Las Vegas), e për ata që u intereson, çmimi dhe data e hedhjes në treg, është bërë gjithashtu e ditur: ai do të kushtojë rreth 200.000 dollarë dhe do të jetë kësisoj gati në treg, vetëm nga fundi i këtij viti që sapo u çel.

Mjeti fluturues duhet të ngrihet në një mënyrë tërësisht autonome, e pasagjeri nuk mund të ndërhyjë në fluturim – dhe për këtë, risia qëndron edhe në faktin se nuk ka nevojë as për licencë piloti.

Në vend të saj, mjafton vetëm një shtypje e lehtë në një ekran 12 inch në kabinën e dronit. Në një hartë të Google-it, të parapërgatitur, është vetë pasagjeri ai që vendos mbi destinacionin final dhe vendin ku do të kryhet ulja dhe më pas jep komandën “Start”.

Për të ndaluar që një përdorues i mjetit të ulet në një vend të papërshtatshëm, apo që udhëtimi të kryhet në një itinerar, apo hapësirë të ndaluar ajrore, ekipi i pilotëve të dronit nga qendra e prodhuesit EHang, do të jetë ai që do të mbikëqyrë më pas gjithë itinerarin nga distanca.

Dhe ky dron duket se arrin të përmbushë disa objektiva, vërtet të konsiderueshëm: mund të ngjitet deri në 3500 metër lartësi, të përshkojë deri në 100 kilometër në orë dhe të arrijë të përshkojë një distancë prej 30 kilometrash.

Prodhuesi EHang, gjatë prezantimit që bëri në ekspozitën e Las Vegasit, tha se droni i tij është më i sigurti, më ekologjiku dhe mund të trajtohet si mundësia më inteligjente momentalisht për transportin ajror të kufizuar të mallrave e njerëzve në distanca të shkurtra.

droni 1

Droni duhet të komunikojë me kontrollin ajror

Shefi ekzekutiv i EHang, Huazhi Hu, tha se kishte humbur një shok dhe mësues helikopterësh në vitin 2011 gjatë një aksidenti dhe pas kësaj ia kishte nisur punës për të gjetur mundësi më të sigurta për fluturimet e ashtuquajtura “Shuttle” nëpër qytete.

Sidomos kur bëhet fjalë për pluhurin dhe smogun në metropolet disamilionëshe kineze, droni i tij mund të ndihmojë ndjeshëm në këtë aspekt.

Prototipi i prodhuesit EHang, prezantuar në panairin e Las Vegasit, duket vërtet bindës. Të paktën hardware-i i tij, që përbëhet nga një kabinë alumini dhe fibra oksigjeni me dyer që hapen dhe helika me tetë rotorë rezervë. Në rast avarie të ndonjë rotori, droni pra mund të manovrohet në çdo rast me siguri të plotë.

EHang prezantoi edhe një video në të cilën shfaqej transporti i një njeriu që u zhvillua më së miri. Videoja në fjalë u vërtetua se nuk ishte një animacion, montazh ose sajesë, dhe ekspertët thanë se EHang 184 tashmë kishte fluturuar vërtet.

Sidoqoftë, prodhuesi kinez pohoi se për transportin e mallrave, kishte zhvilluar ndërkaq modele më të mëdha dhe se mund të përdorte tetë motorë me gjithsej 140 kuaj fuqi si dhe të përdorte helika nga modelet e tjera ekzistuese.

Një sfidë më vete në këtë rast duket se është sistemi apo softi i drejtimit: në mënyrë që droni të ngjitet në hapësirën e ngarkuar ajrore mbi qytete e të manovrohet në mënyrë të sigurt, ai duhet të komunikojë me qendrat e kontrollit ajror, dhe edhe me avionë të tjerë që qarkullojnë në qiell e të përshtatë planet e tij të udhëtimit.

Ai duhet të njohë më së miri pengesat dhe të zotërojë në rast emergjencash, edhe fluturimin me vetëm një rotor – pra të gjitha ato gjëra që e bëjnë atë një mjet për t’i besuar jetët njerëzore.(die Welt)

droni2