Tri ngjarje tragjike kanë ndodhur në ditën e fundit të javës në Prishtinë.

Një person është vrarë dje në lagjen “Dardania”. Sipas Policisë, i dyshuari dhe viktima kanë qenë brenda të njëjtës veturë dhe i dyshuari nga mbrapa ka shtënë me armë zjarri në viktimën, mashkull i cili për pasojë ka humbur jetën.

Policia ka bastisur banesën e të dyshuarit por ai nuk ishte gjetur aty.

Rastin e ka konfirmuar gjatë ditës Policia e Kosovës me anë të një njoftimi për media.

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar se bëhet fjalë për vrasje dhe ngritur dyshimi se i dyshuari dhe viktima kanë qenë brenda të njëjtës veturë dhe i dyshuari nga mbrapa ka shtënë me armë zjarri në viktimën, mashkull i cili për pasojë ka humbur jetën”, thuhej mes tjerash në njoftimin e Policisë.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë për Express se është bastisur banesa e të dyshuarit.

Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim shtetasin e Turqisë, Atila Yaldirim, 53 vjeç, i cili dyshohet për vrasjen e një personi në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Policia ka kërkuar nga qytetarët që kanë informacione lidhur me vendndodhjen e personit të kërkuar ta njoftojnë policinë në numrin 192.

“Referuar rastit të vrasjes që ka ndodhur sot rreth orës 12:00 në rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë. Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë, pas identifikimit të personit të dyshuar me autorizim të Prokurorisë së shtetit, shpallë në kërkim personin e dyshuar; ATILA YALDIRIM (1967), shtetas i Turqisë. Duke i falënderuar qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm, në veçanti për këtë rast, po ju përcjellim fotografinë e personit të dyshuar dhe kërkojmë nga të gjithë ata që kanë informacione lidhur me vendndodhjen e personit të kërkuar ta njoftojnë policinë në numrin 192″, thuhet në komunikatën e Policisë.

Rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, policia ka njoftuar se një grua është gjetur pa shenja jete në Prishtinë.

Sipas Policisë, bëhet fjalë për një 54-vjeçare e cila kishte jetuar e vetme.

Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Express, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 12:00 është marrë informata se në rrugën “Hasan Prishtina” në Prishtinë një person që jeton e vetme ka kohë që nuk është vërejtur të del nga shtëpia. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e marra nga dëshmitarët është ngritur dyshimi i arsyeshëm se viktima një femër 54 vjeç është pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes janë ftuar njësitë ekzaminuese të policisë, prokurori i shteti, mjekësia ligjore si dhe ekipet e mjekësisë emergjente të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, tha Borovci.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion, përderisa për rastin policia ka filluar një hetim për vdekje në rrethana të dyshimta.

Pak orë më vonë ndërkaq, policia ka njoftuar se një 23-vjeçar ka kryer vetëvrasje në Prishtinë.

Policia ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e viktimës në rrugën “Josip Rela” në Prishtinë.

Rastin e ka konfirmuar për Gazetën Express, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 18:00 është marrë informata dhe policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes. Mbështetur në këqyrjen e vendit të ngjarjes si dhe informacionet e marra nga dëshmitarët, të gjitha sugjerojnë për dyshimet që viktima një mashkull 23 vjeç të jetë vet varur. Ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e viktimës në rrugën “Josip Rela” – Prishtinë Në vendin e ngjarjes janë ftuar njësitë forenzike të policisë, specialist për trajtimin e rasteve të tilla si dhe ekipet e mjekësisë emergjente të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Aktualisht po trajtohen të gjitha rrethanat që karakterizojnë ngjarjen për ndriçimin e plotë të saj”, ka thënë Borovci