Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese për të mos e vlerësuar kushtetutshmërinë e kryqit në Butel, është komentuar në mënyra ta ndryshme nga ana e ekspertëve juridik. Bekim Kadriu vlerëson se vendimi i gjykatës është i drejtë pasi bëhet fjalë për një akt individual dhe për këtë arsye ajo nuk është kompetente për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së akteve individuale por vetëm të akteve të përgjithshme juridike. Por sipas tij Gjykata Kushtetuese nuk është koherente në marrjen e vendimeve të drejta dhe këtë e bën vetëm me raste, që flet për standard të dyfishtë të kësaj gjykate.

“Behet fjalë për një pengesë që Gjykatës Kushtetuese i mohon të drejtën të jetë kompetente për këtë çështje. Kjo nuk është për mua fare shqetësuese… më tepër është shqetësues fakti që Gjykata Kushtetuese megjithatë jo çdo herë e ka respektuar këtë qëndrim, pra ne dimë raste kur gjykata kushtetuese në mënyrë selektive ka pranuar të shqyrtojë kushtetutshmërinë e ndonjë vendimi individual për shembull atë të kuvendit të Republikës së Maqedonisë”, tha eksperti juridik Bekim Kadriu.

Ndërsa Mersim Maksuti shkon përtej kësaj duke vlerësuar mbi të gjitha misionin fondamental të kushtetutës së një vendi i cili është sigurimi i harmonisë dhe mbrojtjes së qytetarëve.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që i ik kompetencës për të vendosur në rastin konkret nuk është në rregull, nuk ka as logjikë juridike dhe i ik kompetencës së saj që duhet ta shtrojë për arsye se Gjykata Kushtetuese duhet të merrte parasysh faktin se vendimi i këshillit komunal të Komunës së Butelit që lejoi ndërtimin e kryqit ishte një vendim i gabuar për arsye se ky vendim u morr në bazë të ligjit që lejon ndërtimin e infrastrukturës lokale dhe kryqin si objekt e futi në kategorinë e çdo objekti tjetër që ndërton komuna. Ky ishte gabimi”, tha eksperti i të drejtës kushtetuese Mersim Maksuti.

Nga LR-PDSH-ja nuk pajtohen me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese duke e konsideruar atë si ikje nga përgjegjësia që ka si institucion ndërsa të njëjtin e kanë konsideruar si instrument që pushteti e përdor për të justifikuar krimet e veta. Debati mbi vendosjen e Kryqit në Butel u shoqërua me protesta dhe kundër-protesta ndërsa si nismë buron nga Kongresi Botëror Maqedonas i Todor Petrovit e aprovuar nga ana e Komunës së Butelit.