Vendimi i BDI-së për ndryshimet rrënjësore kadrovike në postet ministrore është një medalje me dy anë të ndryshme. Për një pjesë të ekspertëve ky reformim nënkupton një moment jo të duhur për të bërë lëvizje të tilla pasi që kuadrot e reja nuk do të kenë mundësinë për të menaxhuar situatën politike deri në zgjedhjet e ardhshme. Sipas Ismet Ramadanit ky vendim i BDI-së rrezikon që ministrat e rijnë shqiptarë të shërbejnë vetëm si dekor.

“Është një farë taktizimi interesant dhe len mjaft dilema në opinion se si do të përballohet krejt kjo situatë ose kjo periudhë e cila do të jetë edhe intensive por edhe shumë kritike për sa i përket krizës politike, por edhe dimensioneve të stabilitetit në Maqedoni… por sidoqoftë ajo është strategji e partisë dhe koha do të tregojë nëse kanë sjellë një vendim të mirë apo vendim i cili mund të na jep pozicion dekori në këtë qeveri”, deklaroi eksperti politik Ismet Ramadani.

Por pjesa tjetër e opinion-bërësve mendon se ishte koha e fundit që ministrat që ishin deri më tani të zëvendësohen me kuadro të reja të cilët të paktën nuk kanë asnjë histori korrupsioni. Albert Musliu thotë se për të nisur karrierë si ministër, duhet një ditë të pare që ta fillosh atë. Aq më tepër kur, sipas tij, bëhet fjalë për një qeveri që është në perëndimin e saj ku ka një kryeministër teknik dhe këto ministra kanë mandate deri në zgjedhjet e ardhshme.

“Vendim befasues gjithsesi është se nuk jemi mësuar ne të shohim ndryshime të tilla kolektive në qeveri, por nuk e shoh si një vendim shqetësues. Mos harrojmë BDI ka qenë në sulme konstante për ministrat të cilët qëndrojnë në afat të gjatë, ministra që nuk ndërrohen, eventuealisht kanë edhe hipoteka të ndryshme. Tash Kryetari i BDI-se vendosi të promovojë figura të reja dhe kjo për mua nuk është shqetësuese”, tha analisti politik Albert Musliu.

Ndryshe shumica e ministrave të rinj vijnë nga sfera akademike dhe pa ndonjë përvojë paraprake në fushën politike.