Shkruan :Bujar Plloshtani

Koalicioni i regjimit, që kryesisht realizon politika të shfrenuar që bien ndesh me funksionimin e drejtë të shtetit demokratik. Kohët e fundit jemi dëshmitar të ngjarjeve politike, duke parë më shumë manvora politike, sesa realizim të punëve që janë në interes të shoqërisë. Koalicioni përmes propagandës e ka shtyrë shtetin drejt një humbëtire, që vështirë se del në dritë. E gjithë kjo buron nga mendjengushtësia politike që e këtij koalicioni VMRO-DPMNE dhe BDI. Kjo argumenton përmes keqqeverisjes së institucioneve dhe kapjes së pushtetit shtetëror, padiskutim që sipas të gjitha parametrave mund të konsiderohet si “shqetësim konstant për të ardhmen”. Manovra kinse BDI do të dalë nga qeveria është veçse një farsë e radhës, por që opinioni intelektual e diktoi herët dhe në kohë të duhur. Manovrat e njëpasnjëshme të këtij subjekti politik nuk janë asgjë tjetër, përpos paraqitje e një dështimi të paralajmëruar. Andaj, tërheqja taktike nga qeveria ishte manovër dhe dështim që determinon ekzistencën e politikëbërjes disa vjeçare. Në politikë, populli duhet të ngrihet mbi varësinë e tij, mirëpo këtu ndodh krejt e kundërta, populli të propagandohet me çdo kusht nën diktatin e partisë. Edhe pse manovrat politike i kurdisën për përfytyrimet vetjake, vjen një kohë manovrat e tilla do të zhbëhen dhe paraqitja e tyre do jetë sërish dështimi. Pra, ndryshimi i ministrave dhe zëvendësministrave të BDI-së nuk është asgjë tjetër, pos një manovër që po përpiqen me çdo çmim të “lajnë mëkatet politike” sa kohë, duke u fshehur pas dështimit dhe kapjes së institucioneve me interesin e çështjes. Kjo manovër naive me gjasë buron në interesat e ngushta partiake, por jo dhe në bazë të interesit të përgjithshëm shoqëror. Populli nuk është një lojë për kurdisje, që saherë t’i teket BDI-së t’i përvetësoj sipas planit absurd, por se populli është vëzhgues i përpiktë ndaj çdo lëvizjeje politike, dhe nuk e ka për zakon të lejojë nënçmimin e vet, por se di të vlerësojë të mirën më sublime që i takon për të vendosur mbi fatin e vet. Kjo strukturë politike tashmë e frustruar nga inferioriteti, ndodhet brenda përballjes me veten; kapërcimin nga dështimi. Por, dështimi i tyre është argument i fortë që shteti është në krizë në të gjitha sferat e ndryshme shoqërore. Mungesa edhe ashtu e brishtë e demokracisë në vend, kapja e shtetit nga partia, kontrollimi i skajshëm i mediave, gjyqësori selektiv në dëm të shqiptarëve, raste të montuara politike, dështimi i planit ekonomik; pra të gjitha këto janë argumente reale që populli po i përjeton në përditshmëri. Pushteti e goditi rëndë popullin! E tani në zgjedhjet e ardhshme është populli ai që do e godas me votën e lirë pushtetin, duke e menjanuar njëherë e mirë nga qeverisja me institucionet! Zgjedhjet e jashtëzakonshme kurdo që do të mbahen, do të jenë një test për institucionet e vendit, dhe një mundësi e mirë që populli të shprehë përmes vullnetit të votës së lirë për ndryshimin e gjendjes status quo. Tani është koha e një unifikimi dhe ndryshimi të domosdoshëm, me të vetmen arsye për faktorizimin e shqiptarëve në shtet…