“Sot dorëzuam një iniciativë qytetare për rregullimin e disa çështjeve të cilat e ngulfasin zhvillimin demokratik të shoqërisë dhe shtetit tonë”, tha kryetari i partisë Uniteti, gjeneral Gëzim Ostreni në konferencën e sotme për shtyp, duke shtuar se, në bazë të disa analizave që ua kanë bërë disa ligjeve, që u dedikohen rregullimit të formës së drejtpërdrejtë të demokracisë qytetare të inauguruar në legjislacionin e Republikës së Maqedonisë, kanë ardhur në përfundim se ky lloj i shprehjes së kërkesave të qytetarëve është bllokuar, sidomos ato të popullit shqiptar

“Arsyet që na sollën deri te ky konkluzion janë kriteret e pa kapërcyeshme të sanksionuara me ligjin, i cili e rregullon këtë materie. Në të, për të ngritur iniciativë qytetare kërkohet nënshkrim i 150.000 qytetarëve ose mbështetur nga 30 deputetë. Që tregon se shqiptarët vështirë se mund ta plotësojnë të parën dhe assesi nuk mund ta plotësojnë kërkesën e dytë”, tha Ostreni.

Sipas Ostrenit, ndryshimet kushtetuese duhet të ofrojnë zgjidhje për një kohë të gjatë si dhe të hapet perspektiva për një jetë më të mirë në shekullin që po jetojmë, duke dominuar respektin e ndërsjellët qytetar.

“Qëllimi i iniciativës është sigurimi i barazisë të qytetarëve, liritë dhe të drejtat e tyre pronësore e shoqërore, qofshin individuale apo kolektive, që janë të pranuara në të drejtën ndërkombëtare e të përcaktuara në Kushtetutë”, shtoi Ostreni.

Për realizimin e këtyre qëllime, Uniteti kërkon ndryshimin e Kushtetutës:

  1. Ndryshimi i preambulës;
  2. Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe dhe shkrimit të saj në Republikën e Maqedonisë;
  3. Zgjedhja e kryetarit të shtetit nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë
  4. Riorganizimi i mënyrës së zgjedhjes dhe kompetencave të Komitetit për marrëdhënie ndëretnike;
  5. Sjellja e dispozitës kushtetuese për miratimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese;
  6. Ndryshime në riorganizimin dhe funksionimin e vetëqeverisjes lokale dhe rregullimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në organet e pushtetit lokal dhe
  7. Shpërndarja e barabartë e buxhetit të shtetit.

Sipas Ostrenit, realizimi i kësaj iniciative është me rëndësi për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, andaj, bëjnë thirrje për mbështetje të kësaj iniciative nga të gjithë qytetarët, deputetët dhe partitë politike, institucionet ekzekutive, OJQ-të dhe asociacionet e ndryshme.