Ekspertët juridik e cilësojnë plotësisht joligjor dhe kundër kushtetues vendimin e presidentit Ivanov për faljen në paketë të politikanëve dhe funksionarë të ndryshëm. Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese Trëndafil Ivanovski madje vlerëson se ligji në të cilin Ivanov mbështeti vendimin e tij është jo funksional.

“Me këtë ligj, me vendim të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e dispozitave ligjorë, i tërë ligji është copëtuar, ligji është jofunksional, ai është i pazbatueshëm, aq më shumë kur atje kishte një nen, neni 11 i cili parashikonte falje në interes të përgjithshëm. Atë dispozitë që në vitin 2003 apo 2008, kur vet ligjvënësi e shfuqizoi, megjithatë Presidenti ende mendon se mund ta zbatojë . Prandaj plotësisht pajtohem me pjesë të ekspertëve që ky ligji është plotësisht jo funksional dhe i pa zbatueshëm pa një ndërhyrje adekuate nga organi ligjvënës pa ndryshime dhe plotësime. Por kjo nuk ndodhi, e pamë që me shpejtësi dhe e dimë përse me shpejtësi u shpërnda parlamenti gjithashtu në mënyrë joligjore”, deklaroi Trëndafil Ivanovski, ish kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Sipas ish anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Bajram Pollozhani vendimi i Ivanovit është joligjor edhe për faktin se abolimi mund të bëhet për raste individuale dhe jo kolektive.

“Instituti i faljes bëhet për raste individuale jo sikur amnistia. Ky e përfshiu me amnistinë që është kompetencë e parlamentit, që me ligj bëhet amnisti e përgjithshme pavarësisht nëse kanë hyrë në procedurë apo janë dënuar, ajo kompetencë e parlamentit ndërsa faljet janë individuale me lutje, me procedurë që i drejtohen komisionit përkatës. Pra këtu janë bërë disa shkelje. Nga ana tjetër argumentet janë të natyrës politike për dalje nga kriza, në fakt ka vendosur vajin në zjarr, me çfarë kriza tani u përshkallëzua, nuk ka këtu shumë zgjidhje juridike për një çështje politike” , tha Bajram Pollozhani, ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkaq për avokatin Aleksandar Tortevski, në bazë të ligjit, abolimin fillimisht duhet ta iniciojë Ministria e Drejtësisë.

“Me ligjin e vitit 2009 janë fshirë dispozitat që mundësonin në mënyrë të pavarur të sjellë vendime të tilla, për një vendim të tillë i duhet nisma nga Ministria e Drejtësisë, prandaj këto vendime nuk kanë kurrfarë veprime ligjore”, tha Aleksandar Tortevski, avokat.

Këtë vendim të turpshëm dhe skandaloz sipas ekspertëve Ivanov duhet ta tërheq menjëherë apo të ofrojë dorëheqje, përpara se të nxisë tensione të reja politike.