Elmir Sejfullai , zëdhënës i LR-PDSH-së, nëpërmjet të një opinioni  të shpërndarë  për mediat thumbon keq,  zëdhënësin e BDI-së Bujar Osmanin . 

Në vazhdim opinioni i  plotë i z. Sejfullai:

Duke ndjekur situatën politike në vend dhe njëkohësisht krizën institucionale që e shkaktoi koalicioni më i keq i mundshëm VMRO-DPMNE – BDI, të sjell nëpërmend atë përkufizimin e fiolozofit francez Volterit për politikën. “Politika nuk është asgjë tjetër, pos mjeshtëri e rrenës në çastin e duhur”, simbolikisht tingëllon si e vërtetë për fjalomanitë politike të zëdhënësit të BDI-së, Bujar Osmani. Ai gjithnjë kur është ndodhur brenda kontradiktave në shprehje ka tentuar të bëjë politikë, duke e fshehur dështimin gjoja si taktizim politik që fare kollaj e han populli. Jo, kësi taktizime për fyerje të inteligjencës, shqiptarët nuk durojnë më! Shkurtimisht, vlen t’ia kujtojmë se dështimi i proceseve evro-atlantike të subjektit të tij politik që përfaqëson nuk është një paralajmërim për t’u shfajësuar nga realiteti i brishtë politikë, ku vetë ata e katandisën shtetin, por një realitet i hidhur që qytetarët e paguan shtrenjtë. Taktizimi politik i zëdhënësit Bujar Osmani, gjoja se NATO ka kërkuar nga BDI t’i lë anash çështjet etnike, e konsiderojmë si një veprim politik jo i logjikshëm i tij dhe vetë subjektit që përfaqëson, pasi ky mashtrim i tillë e kthen faktorin ndërkombëtar pothuaj të pa rëndësishëm për kapërcimin e krizës politike dhe integrimit të vendit. Qëndrimet e tij shpeshherë opinioni i ka vlerësuar si blof politik, pasi kur në mungesë të modestisë ai përcakton vijën ndarëse të projekteve kombëtare duke i përvetësuar projektet kombëtare si projekte partiake gjoja se mbajnë vulën e BDI-së. Projektet kombëtare vërtet në njëfarë mënyre mund të themi se e mbajnë vulën e BDI-së, nëse i rikujtojmë
– Rastet e montuara politike si MONSTRA,
– Partizimin e administratës shtetërore,
– Kthimin e Lagjës së Trimave në një betejë lufte për t’u arratisur nga përgjegjësia politike,
– Rastin e montuar të SOPOTIT,
– Enciklopedinë e famshme ku aty përshkruhet se shqiptarët janë barbarë të ardhur nga malet etj.
Pra, pikërisht për këto projekte kombëtare opinioni është i vetëdijshëm se mbajnë vulën e BDI-së, pasi shqiptarët që 13 vjet pothuaj janë më të integruar sa mendon zëdhënësi i BDI-së. Tani është koha që ky subjekt politik i kapur pas krimit të shfuqizohet nga gjyqi i popullit, dhe të vijë e drejta dhe platforma e duhur që do të dijë me arsye ta mbrojë çështjen shqiptare përmes moralit dhe angazhimit serioz politik.
 
Elmir Sejfullai
Zëdhënës i LR-PDSH