Nga Emin Azemi/

Zijadin Sela, një kryetar partie, tash mund të bëhet edhe lider i një fronti më të gjerë politik në Maqedoni. Jo vetëm karizma, por edhe qëndrimi e formimi i tij, e sollën aty ku pak kush do të donte të ishte, mirëpo heronjtë nuk i paracaktojnë vet vendet ku ndahet qyqarllëku nga heroizmi. Ato momente vijnë edhe pa na pyetur neve, mirëpo ne jemi ata që vendosim si të qëndrojmë: vertikalisht si hero, apo zvarrë si krimb.
Ai u ndodhë atë të enjte të kobshme, pikërisht aty prej nga nuk mund të shmangej, sepse vetë rrugëtimi i deritanishëm i tij ishte i tillë: ballëhapur, dinjitoz dhe mbi të gjitha – sfidant i frikës.
Zijadin Selën deshën ta vrasin me paramendim. Planifikuesit e këtij krimi e kishin fiksuar që më parë figurën dhe zërin e tij dhe pritnin vetëm momentint kur do të zbatonin urdhërin për ekzekutim. Por, qyqarët asnjëherë nuk arrijnë t’iu shkojnë deri në fund skenarëve të tyre. Atë të enjte të kobshme mbeti i papërfunduar një skenar ogurzi dhe të gjithë ata që nuk e kanë të qartë se pse ndodhi kjo do të duhej ta dijnë se Zijadin Sela nuk kishte lindur për të vdekur në duart e një tufe harbutësh maskarenjë.
Nëse kauza e një politikani është e lidhur me vet qenien e tij, kjo do ti shkonte më së miri Ziajdin Selës, i cili edhe në këto momente dramatike kur mjekët po kujdese për shëndetin e rrënuar të tij, ai edhe nga krevati i spitalit po rrezaton optimizëm e unitet tek shqiptarët. Si askush tjetër, Sela me gjendjen e tij të fizike e shëndetësore po iu jep shpresë njerëzve se e ardhmja u takon atyre që gjakojnë lirinë e barazinë dhe ai mbase po bëhet shembull unikat i politikanit i cili me sakrificën e tij edhe fizike po arrin të bashkojë moralin njerëzor me qëndrueshmërinë për aksione të reja politike e intelektuale.
Fronti i mbështetësve të tij sigurisht që do të rritet, por ajo çka është më me rëndësi ka të bëjë me konturimin e ri të figurës së udhëheqësit politik, që gjithsesi do të duhej të riformatohej me kauzën e pathyeshmërisë, ashtu siç po përgatitet të vijë në skenën e madhe politike edhe Ziajdin Sela.
Sela, nga kryetar partie po bëhet lider i një fronti të ri politik këtu. Nëse ia heqim tisin e idhujtarisë këtij konstatimi, do të ngelte një e vërtetë e pamohueshme se ai ishte ndër të rrallët që arriti politikisht të përbirohet në këtë lavirint të vështirë që imponoi koha, duke ruajtur qartësinë dhe arsyeshmërinë për të gjitha veprimet e tija politike. Të tillët kanë qenë pengesë për të tjerët, por shumë të domosdoshëm dhe shumë të kërkueshëm për neve.