Kjo qeveri e tanishme që është korrozive në esencë, do të duhet që njëherë e përgjithmonë të zhbëhet sistematikisht. Kjo zhbërje duhet të fillohet nga vetëdijësimi personal mbi interesin kolektiv, duke i dhënë hapësirë opcionit që vërtetë synon përmirësimin dhe rivendosjen e strategjive politike fisnike.

Ky pushtet do të rrënohet vetëm atëherë kur ne do t’i rrënojmë brenda nesh kornizat e të qënurit të skllavëruar, të nëpërkëmbur dhe të margjinizuar nga shantazhimet dhe trysnitë e formave të ndryshme që përcollën mijëra individë të kësaj shoqërie. Poqese ne vazhdojmë që jemi pre e kësaj çoroditjeje politike aktuale qeverisëse të BDI-së, ne definitivisht do të jemi të përcjellur nga raste të montuara si Kumanova, do të jemi poashtu viktima të ngjajshme të nëpërkëmbura të sistemit të korruptuar arsimor që kryesisht ka prodhuar një sërë antivlerash (kuantitet mbi kualitet universitar), do të jemi poashtu të detyruar të dëgjojmë lajme shtetërore dhe jo lajme rreth shtetit. Përkrahja e këtij sistemi ka për të na shpjerë vetëm në përsëritjen e fatkeqësive politike të deritanishme, të cilat përkufizojnë kryesisht shkaqet për të cilat çdo gjeneratë e së nesërmes ka për ta parë ardhmërine dhe zgjidhjen ekonomike vetanake jashta vendlindjes shqiptare të tij.

Ngritja e çështjes së zyrtarizimit së gjuhës shqipe dhe faktorizimit të federalizimit së shqiptarëve brenda Maqedonisë, nga ana e Aleancës për Shqiptarët, janë dy pika esenciale që bëjnë kthesë madhore në politikën e tashme dhe duhet të jenë dy pikat thelbësore për krijimin e sigurisë dhe vendosjes definitive për zgjedhjen adekuata të opcionit politik që thërret në krijim hapësire të duhur për secilin individ shqiptar pa përjashtim.

Besmir Esati, aktivist i Lëvizjes për Reforma-PDSH