Si pasojë e motit të ftohtë, në Europë janë shënuar dhjetëra viktima gjatë orëve të fundit. Në Itali, 8 persona kanë ndërruar jetë, teksa shumica e tyre janë të moshuar. Ndërkohë, edhe në Poloni paraqitet një situatë e ngjashme, teksa bilanci i viktimave ka arritur në 10. I ftohti ka sjellë paralizim të transportit ajror për shumë kompani europiane gjë që ka shënuar vonesa për pasagjerët.

Europa vijon të përballet me motin e ashpër teksa stuhitë e dëborës dhe ngricat kanë prekur pjesë të ndryshme të kontinentit të vjetër.

Situata duket mjaft e vështirë edhe në Itali, ku vetëm gjatë orëve të fundit janë regjistruar 8 viktima.

Temperaturat më të ulta janë shënuar në veri të gadishullit, ndërkohë që pjesa më e madhe e viktimave janë të moshuar.

Kjo situatë ka bërë që qeveria të mobilizohet duke vendosur në dispozicion numra telefoni për raste emergjence, ndërkohë që qytetarëve u është kërkuar të tregohen të kujdesshëm.
Autoritetet kanë bërë thirrje të evitohen në maksimum daljet e panevojshme për shkak të vështirësive që kanë krijuar ngricat në lëvizje.

Gjithashtu, thirrje ka patur edhe për drejtuesit e automjeteve, të cilëve u kërkohet që t’i ngasin makinat me kujdes dhe të përdorin zinxhirë.

Edhe në Poloni situata duket mjaft e vështirë, ku në total gjatë dy ditëve që kemi lënë pas janë regjistruar 10 viktima.

Shtatë prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e hipotermisë, ndërkohë që tre të tjerët janë helmuar nga monoksidi i karbonit që çlirohet nga lëndët e djegshme, të cilat përdoren për ngrohje. Termometri në këtë vend ka arritur deri në -25 gradë Celsius.

Ndërkohë, situata është kaotike edhe në Stamboll, ku moti i ftohtë ka paralizuar qarkullimin e automjeteve, por edhe transportin ajror. Zyrtarët bënë të ditur anulimin e më shumë se 650 fluturimeve, duke shkaktuar vonesa për qytetarët.

Megjithatë, zyrtarët njoftuan se afro 6.000 pasagjerë u dërguan në hotele teksa u shpërndanë edhe 20.000 racione ushqimi për pasagjerët që mbetën të bllokuar në aeroportet kryesore të vendit.

Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe me kompani të tjera europiane ajrore, të cilat kanë anulluar qindra fluturime.

Probleme ka patur edhe për vende të tjera europiane, përfshirë Gjermaninë, Suedinë, Finlandën, vendet baltike etj.

Megjithatë, krahas problemeve, reshjet e dendura të dëborës kanë favorizuar edhe ushtrimin e sporteve dimërore për të apasionuarit pas tyre.