Njëra prej dy makinave me avull gjendet në Cërnicë

Makina tani po i mbush 100 vjet në oborrin e tyre

Sipas asaj që dihet, një makinë e tillë, për disa numra më e vjetër, gjendet në Muzeun e Bujqësisë “Blankenhain” në Gjermani, ndërsa tjetra, te familja Hoxha në Cërnicë të Gjilanit

Në fshatin Cërnicë të Gjilanit ruhet një makinë me avull prej gati një shekulli. Familja Hoxha e kishte blerë këtë makinë në vitin 1929. Makina i ka rezistuar kohës, madje edhe luftës dhe si një relikt interesant nga një kohë tjetër, ruhet me xhelozi edhe në ditët e sotme, kur makineria ka arritur përsosmërinë më të madhe të mundshme. Një makinë të këtij lloji dhe kësaj vjetërsie, rrallëkush në botë mund ta ketë. Sipas asaj që dinë familjarët Hoxha, një makinë e tillë, për disa numra më e vjetër, gjendet në Muzeun e Bujqësisë në Kështjellën “Blankenhain” në qytetin Crimmitschau në Gjermani. Kurse makina e familjes Hoxha është prodhim i vitit 1928, e markës “Akt. Ges. Th. Floether Gassen”. Gjatë 85 vjetëve të kaluar, në Cërnicë ka ndryshuar shumëçka. Nuk jetojnë më as blerësit e makinës me avull, por ajo ruhet me xhelozi nga pasardhësit e tyre. Familjarët rrëfejnë për historinë e makinës me avull. “Babagjyshi, baba e xhaxhallarët e kishin pas blerë këtë lloj makine në vitin 1929. Më kujtohet që babagjyshi kishte thënë se dikush i kishte sjellë asokohe dy makina të tilla, të reja, nga Austria dhe njërën e kishin blerë familja jonë”, thonë familjarët Hoxha. Për dallim prej të tjerëve, familja Hoxha e ka ruajtur makinën.

Çmimi i makinës ishte i barabartë me 20 pendë qe

Fevzi Hoxha, derisa ishte gjallë, tregonte se kjo makinë, asokohe e kishte vlerën sa 20 pendë qe (kije të zgjedhës), që sipas tij, ishin para të mëdha në ato vite. Që nga ajo kohë e deri në vitin 1959, familja Hoxha kishte punuar me këtë makinë, ku hisedar ishte edhe Veli Hoxha. Por si funksionon kjo makinë?. “Makina mbushej me kashtë, e cila ndizej për të vluar ujin, ndërsa avulli që krijohej pastaj e shtinte në lëvizje makinën. Deri pesë mijë duaj i fshinim me të”, thoshte Hoxha. Punohej edhe natën, sepse në atë kohë nuk kishte mjaftueshëm makina të tilla, prandaj duhej të shkonin edhe në Budrikë, Partesh, Mogillë, Kllokot dhe shumë fshatra të tjera të anës së Moravës. Makina ka katër rrotë, por nuk është vetëlëvizëse. Tërhiqej nga kafshët prej një vendi në tjetrin, ku duhej të punonte. Vitet kalonin dhe gjërat ndryshuan. Nisën të dalin edhe traktorët, të cilët në fillim i kishin vetëm kooperativat e më vonë blenë edhe fshatarët. Kur me të madhe hynë në përdorim traktorët, makinat me avull u lanë tërësisht anash. Edhe familja Hoxha, që nga viti 1959 nuk e përdor më makinën me avull, por e ruan dhe kujdeset për të. Fati deshi që makina të shpëtojë edhe gjatë luftës së fundit, kur familjes Hoxha iu dogj shtëpia. Familja Hoxha thonë se gjithmonë ka pasur të interesuar për ta blerë makinën me avull, jo për përdorim, por për ta pasur si dekor nëpër ambiente restorantesh, por nuk e kanë shitur.

Austriakët interesohen për makinën e tyre

Duke u interesuar për një makinë të tillë, një mik i familjes Hoxha kishte bërë një kërkim në Austri dhe e kishte gjetur fabrikën, ku ishte prodhuar. Sipas tij, austriakët janë të interesuar ta marrin makinën me avull në Cërnicë, kur ajo t`i mbush 100 vjet. Por, familja Hoxha zor se do ta jap këtë makinë, jo vetëm për arsye se e kishin pas blerë shtrenjtë asokohe, por më shumë për faktin se tani po i mbush 100 vjet në oborrin e tyre. Ky nuk është objekti i vetëm i vjetër në familjen Hoxha. Edhe oda që është në oborrin e kësaj familje i ka 86 vjet, shtëpia që u ishte djegur nga forcat serbe, ka qenë e ndërtuar në vitin 1939, kurse më e vjetra nga të gjitha këto objekte, është korita e gurit, e cila i ka mbi 100 vjet, aq sa i kanë edhe hambari, koshi dhe gjësende të tjera. Faid Hoxha, njëri nga djemtë e kësaj familjeje, thotë se makinën e kanë ruajtur me kujdes, por tani kanë problem se ku ta vendosin atë, që të mos dëmtohet nga lagështia dhe koha, sepse vitet e “hanë” edhe hekurin, nëse nuk mbrohet mirë. Ai thotë se makina ka edhe pjesën përcjellëse, që gjithashtu ka nevojë për një strehë adekuate. “Po i ruajmë sa po mundemi. Janë gjëra me vlerë për familjen tonë këto mjete”, thotë Hoxha.

Ky nuk është objekti i vetëm i vjetër në familjen Hoxha. Edhe oda që është në oborrin e kësaj familje i ka 86 vjet, shtëpia që u ishte djegur nga forcat serbe, ka qenë e ndërtuar në vitin 1939, kurse më e vjetra nga të gjitha këto objekte, është korita e gurit, e cila i ka mbi 100 vjet, aq sa i kanë edhe hambari, koshi dhe gjësende të tjera

Faid Hoxha, njëri nga djemtë e kësaj familjeje, thotë se makinën e kanë ruajtur me kujdes, por tani kanë problem se ku ta vendosin atë, që të mos dëmtohet nga lagështia dhe koha, sepse vitet e “hanë” edhe hekurin, nëse nuk mbrohet mirë. Ai thotë se makina ka edhe pjesën përcjellëse, që gjithashtu ka nevojë për një strehë adekuate. “Po i ruajmë sa po mundemi. Janë gjëra me vlerë për familjen tonë këto mjete”, thotë Hoxha.

relikt