Dedikuar, elektoratit të LR-PDSH-së, partisë ku aderoj:

Në shumë raste tek ne shqiptarët e Maqedonisë vërrehet ambicia e verbër për të përfshirë në parti politike njerëz “parashutistë” të cilët pastaj përjashtojnë nga partia individët ose grupet profesionale. Kështu ndodhi edhe në LR-PDSH, edhe pse unë dëshiroja dhe shpresoja se do të ishte një praktikë krejt ndryshe, prandaj mora pjesë që nga themelimi i saj. Njerëz të cilët erdhën kinse për të bërë PR-in parazgjedhorë, nuk bënë gjë tjetër veçse fundosën këtë parti në një shifër të dobët, pra e lanë me dy deputetë. Kjo nuk qe e papritur për mua, por as që duhej të jetë një rezultat surprizë (i dobët për udhëheqësinë e saj). 
Tash që ndodhemi një ditë para konferencës për shtyp që është paralajmëruar nga kryetari Ziadin Sela, dhe disa ditë para krijimit të koalicionit të ri qeverisës po theksoj disa mangësi që lanë LR-PDSH vetëm me dy deputetë:

E para, kjo parti politike u formua si fraksion i PDSH-së së udhëhequr nga Menduh Thaçi, ku bashkëpartiakët e tij, siç ishte edhe Ziadin Sela kërkonin dorrëheqje nga posti i kryetarit Menduh Thaçi si përgjegjës për humbjet e njëpasnjëshme të partisë. Prandaj kjo lëvizje politike me të drejtë organizoi edhe Kongresin e rregullt të PDSH-së më 21 Mars 2015, ku u zgjodh edhe kryetari i ri i cili në fakt ishte legjitim por jo legal (si pasojë e humbjes së kontekstit gjyqësorë për marrjen e vulave). 

E dyta, pasi që nuk mundëm të marrim apo ndryshojmë PDSH-në, partia e Ziadin Selës duhej të respektonte vendimin e shumicës së Kuvendarëve në Kuvendin e dytë të mbajtur në Kumanovë, ku u kërkua krijimi i një opsioni të ri politik LDSH (Lëvizja Demokratike Shqiptare). Kjo ishte shumë me rëndësi për zgjerimin e mëtejshëm të partisë, por u kundërshtua nga nostalgjikët e PDSH-së (figura të plakura politike) të cilët në zgjedhje përsëri aderuan në partinë e tyre amë. 
Derisa shkëputja e parë do të ishte ideologjike, pra ruajtja e vlerave dhe elektoratit më të mirë të PDSH-së, e dyta, pra krijimi i një opsioni të ri politik do të ishte kthesa drejt votës së elektoratit të pavendosur për një opsion të ri udhëhequr nga lideri i dëshmuar Ziadin Sela. Kjo do të bënte një rritje elektorale për partinë dhe ne më sot nuk do të quheshim Lëvizje për Reforma PDSH – një mision faktikisht i dëshiruar por i dështuar. 

E treta, përzgjedhja e bartësve partiak (zyrtarëve të lartë të saj) sidomos në qytetin e Tetovës, qytet ky me shumë rëndësi për mbijetesën politike duhej të bëhej me shumë delikatesë dhe promovimi i tyre do të arrihej me shumë mund në televizionet ekzistuese, në ueb faqen partiake apo mediat elektronike apo të shkruara. 

E katërta, parashtrimi i alternativës së qartë politike që do të ndiqte partia e re (sigurisht pas mbajtjes së një kongresi të ri) e cila do të ishte prezantuar në forma të ndryshme gjatë fushatës parazgjedhore. Një pjesë të elektoratit të PDSH-së dhe një pjesë të elektoratit të papërcaktuar që së bashku rezultuan në vetëm 2 deputetë. Alternativa me pikat e saj u miratua në Kuvendin e Katërtë të partisë të mbajtur në Shkup.

Më tej, pas gabimeve politike kjo parti politike kaloi edhe në shumë gabime të fushës së PR (Marrëdhënieve me Publikun) ku mendoj se jam më kompetenti të flas. Por këtë në një status të ardhëshëm.