Dr Anthony Fauci ka paralajmëruar të martën se gjërat nuk do të jenë mirë, nëse trajtimi i coronavirusit nuk fillon së shpejti të jep shenja pozitive, duke theksuar se virusi vdekjeprurës zor që do të “zhduket nga planeti ynë” edhe kur izolimi të përfundojë.

Gjatë një interviste dhënë në “The Economic Club of Washington D.C”, Fauci ka thënë se është i “pashmangshëm” rikthimi i virusit i cili sipas tij mund të mos zhduket kurrë, transmeton Telegrafi.

Këto deklarata Fauci i bëri në kohën kur ka filluar të rritet frika se një valë e dytë e coronavirusit mund të ndodh gjatë sezonit të dimrit, kur gripat sezonalë janë më prezent dhe kjo ia vështirëson punën edhe më shumë sistemit shëndetësor në SHBA.

“Në mendjen time është ngulitur ideja se është i pashmangshëm rikthimi i virusit, ose ekzistojnë mundësitë që kurrë të mos zhduket”, ka deklaruar Fauci raporton CNBC, duke shtuar se “virusi nuk do të zhduket nga planeti ynë”.

Ai është treguar optimist sa i përket programeve hulumtuese që do të sillnin zbulimin dhe prodhimin e një vaksinë, duke mos dhënë data se sa shpejtë mund të arrihet një gjë e tillë.

Barnat që janë përdorur deri më tani në trajtimin e COVID-19, janë barna që zakonisht janë përdorur për trajtimin e malarisë.