Çim Peka: Ben Blushi? Askush nuk e priste nga ne se Ben Blushi do ti shkonte deri në fund diçkaje pasi shumë herë betejat politike duket se i ka lënë në gjysmë tashmë ka krijuar një parti. Si e shihni të ardhmen mediatikisht?

Blendi Fevziu: Ben Blushin unë mund të jem një nga të paktit njerëz që sot qarkullojnë në publik që e njeh mirë. E njoh që fëmijë, ka qenë një nga njerëzit shumë të afërm të mi gjatë gjithë viteve të shkollës. Vijon sot, në rast se do të më pyesësh se kush janë miqtë e tu? Unë Blushin do ta rendis në të parët ose të dytë, apo në 3-4 miqtë më të afërt.

Është një miqësi që zgjat tashmë prej 30 vjetësh, është një miqësi e cila është vendosur në rrethana kur interesi nuk ekzistonte, kur raportet nuk ekzistonin. Ishim të dy studentë me duar në xhepa, që ëndërronim në atë kohë të bëheshim shkrimtarë dhe që u bashkuam ose krijuam  miqësi në bazën e interesave të përbashkëta, ose interesave intelektuale dhe jo mbi bazën e interesit. Unë Blushin e njoh mirë. Blushi është person shumë këmbëngulës, Blushi është një personazh që lufton, mbi të gjitha Blushi është një personazh shumë trim.

Kushdo që mendon që mund ta trembi Blushin, e ka shumë gabim, ai nuk është një njeri që trembet. Këtë gjë e di shumë mirë, si një adoleshent që ishte i gatshëm të përplasej për idetë e veta edhe fizikisht, pra ishte një person që nuk trembej kurrë, me Blushin ideja e frikës nuk ekziston. A do ketë shanse Blushi në këtë sistem që është ngritur, ky është një ekuacion që varet nga shumë rrethana.