Shkruan:Arta Toçi

Në vitin 1990, në Split luajtën dy ekipet rivale të asaj kohe, Hajduku dhe Partizani i Beogradit. Për shkak të shkallës së lartë të rezikshmërisë nga ekceset eventuale të tifozëve të dy ekipeve, ishte vendosur që tifozët e ekipi mysafir të mos jenë prezent në stadium. Edhe për kundër masave të repta që ishin ndërmarrë në prag të kësaj loje, eksceset nuk munguan. Ishte loja ku u dogj flamuri jugosllav dhe për të cilën flitet se ishte fillimi I fundit të shtetit hibrid të Jugosllavisë së dikurshme. 

Lojrat e fudbollit sikur janë destinuar të paralajmërone ngjarje të madha dhe iu paraprijnë ndodhive që pasojnë në një shtet. Kjo ndodh pikërisht për faktin se mllefi I akumuar zbrazet atje ku te gjithë bëhen një dhe para ngjarjeve të mëdha stadiumet bëhen arenë e shfryerjes së mllefit të akumuluar. Kështu, nga një arenë futbolli ato shndërohen në një arenë të  shpalosjes se emocioneve të vërteta ku futbolli është vetëm preteksti ndërkohë që ekipi kundërshtar konsiderohet si armiku i arenave politike, etnike, fetare, racore, etj. Rastet e këtilla në Maqedoni nuk janë të rralla, ato janë parë edhe në basketboll, kur tifozët e ekipeve shqiptare rrihen vetëm për një  arsye. Të gjitha këto ndodhin në Shkup, atje ku shumica janë maqedonë, dhe këta të njëjtët, kur janë në numër më të vogël, e dinë mirësjelljen më mirë se kushdo tjetër. 

Dje u sulmuan njerëz të pafajshëm, njerëz që shkuan t’a shohin një lojë futbolli sepse duhej të ishin atje. Në mesin e tyre ishte edhe një ndër Akademikët shqiptar, ishte babai I njërit nga emrat eminent të futbollit shqiptar, ishin udhëheqësia e klubit dhe ishte edhe Shpend Ahmeti, kryetar I njërës nga kryeqendrat shqiptare I cili për një cast e ndjeu si ishte të jesh shqiptar në Maqedoni. Jeta e shqiptarit të Maqedonisë nuk është aspak e ngjashme me përshtypjen që e krijojnë  zonjat e Kosovës të cilat  të shtunën e të dielën I zbrazin shitoret e qendrave tregëtare në Shkup. Këtu jeta është e ngjashme me atë të një arene gladiatorësh madje edhe ateherë kur luhet futboll.  

Pas lojës së vitit 1990 dy republikat jugosllave I rishikuan shumë seriozisht politikat e ndërsjella ndërsa shumë shpejtë pas kësaj loje filloi shpërbërja e Jugosllavisë. Me tërë keqardhjen për atë që I ndodhi kryetarit të Prishtinës, unë shpresoj se Kosova do t’a orientojë vëmndjen konstruktive drejt asaj që po ndodh me shqiptarët në këtë vend. Është obligim kushtetues, aq më tepër dhe moral, që Kosova ashtu dhe Shqipëria, si shtete sovrane t’a shtrijnë ndikimin e tyre dhe të bëjnë që shqiptarët t’a ndjejnë  se janë jo një, por dy shtete, për krijimin e të cilave shqiptarët e Maqdonisë kanë dhënë një pjesë të qenies se vetë.