Disa parti opozitare shqiptare u takuan sot në Shkup për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm politike në rrafshin e zgjedhjeve. Me ftesë të Rilindjes Demokratike Kombëtare (lexo: Fadil Zendeli), u mblodhën Lëvizja Besa, Partia Uniteti, por duke dhënë përkrahje edhe Partia për Prosperitet Demokratik.

E ftuar ka qenë edhe Lëvizja për Reforma në PDSH por ajo nuk i është përgjigjur ftesës.

Partitë e bashkuara opozitare thanë se i mbështesin fuqishëm protestat kundër pushtetit që po zhvillohen këto ditë thuajse në shumicën e qyteteteve më të mëdha të Maqedonisë.

RDK (F.Zendeli), Uniteti, Lëvizja Besa dhe PPD-ja kërkuan nga kryetari i shteti që ta tërheq vendimin për falje të politikanëve dhe bashkëpuntorëve të tyre, kërkuan nga faktori ndërkombëtar që të ndikojë në shtyerjen e datës së zgjedhjeve pasi që nuk ka kushte reale që ato të mbahen më 5 qershor, si dhe kërkuan që të bëhet presion deri tek 4 partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos që të zbatojnë gjitha pikat për të cilat janë zotuar.

Nga kjo platformë e përbashkët opozitare buron edhe nevoja për kthimin e demokracisë, përmirësimi i gjendjes së shqiptarëve në shtet, dekriminalizimi i pushtetit, sundimi i së drejtës, luftimi i krimit dhe korrupsionit, funksionimi i lirë i Prokurorisë Speciale, departizimi i institucioneve publike, mediat e lira, zgjedhje të lira dhe demokratike të pranuara nga secili faktor vendas dhe ndërkombëtar.

Në vazhdim, ju sjellim edhe deklaratën e përbashkët, të cilën e nënshkruan përfaqësuesti partiak:

DEKLARATË E PËRBASHKËT E PARTIVE OPOZITARE SHQIPTARE

Në kohën kur liritë dhe të drejtat e njeriut janë seriozisht të cenuara, kur demokracia dhe vota e qytetarit janë të zëna peng nga partitë në pushtet dhe kur sistemi juridiko-kushtetues është shkelur nga institucione kryesore drejtuese të shtetit, ne jemi të bindur se zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 5 qershor 2016, të shpallura nga Kryetari i Kuvendit, nuk mund të mbahen.

Për ta vendosur gjendjen normale në vend, pas çka do mundej dhe do të duhej patjetër të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare, ne vlerësojmë se duhet që sa më shpejt:

Gjorgi Ivanov ta shfuqizojë vendimin për falje të të gjithë personave që janë cak i hetimeve të Prokurorisë Speciale Publike në Maqedoni;
Me ndihmën e faktorit ndërkombëtar të gjendet mënyrë për shtyrjen e datës së zgjedhjeve deri në plotësimin e të gjitha kushteve të parapara në Marrëveshjen e Përzhinos;
T’u ushtrohet trysni katër partive politike nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos që ato ta zbatojnë sa më shpejt atë;
Ne jemi të përcaktuar pa mëdyshje për vendosjen e demokracisë dhe sigurimin e plotë të lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në vend, si dhe për dekriminalizimin e pushtetit, duke mundësuar sundim të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, që nënkupton funksionim të papenguar të Prokurorisë Speciale Publike, departizim të të gjitha institucioneve në shtet, si dhe mediume të lira, objektive dhe profesionale, të financuara të mënyrë transparente, me çka do të krijoheshin kushte për mbajtjen e zgjedhjeve kredibile dhe të pranueshme nga të gjithë pjesëmarrësit dhe faktori ndërkombëtar.

Ne jemi të përcaktuar që për arritjen e qëllimeve tona ta shfrytëzojmë çdo mënyrë të lejuar demokratike, për çka kërkojmë përkrahje nga të gjitha partitë politike opozitare, organizatat joqeveritare, subjektet e ndryshme që i kanë këto synime, si dhe qytetarët shqiptarë dhe të tjerë.

Këtu theksojmë edhe vullnetin tonë të mirë që të mbështeten të gjitha aktivitetet e tjera që shkojnë në drejtim të këtyre synimeve, rrjedhimisht edhe protestat e shoqërisë civile që organizohen këto ditë.

Ne shprehim vullnetin e subjekteve tona për bashkëpunim të partive opozitare shqiptare dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi me të gjitha subjektet e interesuara, kjo si nevojë e momentit dhe kërkesës së opinionit publik shqiptar në Maqedoni, me qëllim të përafrimit të qëndrimeve dhe platformave tona dhe ndryshimin e gjendjes së rëndë të popullit shqiptar në vend.

Sela: Të bëjmë edhe bashkëpunim real dhe jo vetem deklarativ

Kryetari i LR-PDSH ka komentuar takimin e sotëm të përfaqësuesve opozitar, ai ka theksuar se mbështet këtë iniciativë plotësisht dhe tash ka ftuar që të njejtët të mbështesin protestën opozitare shqiptare. Ja komenti i Selës:

“Iniciativave per bashkepunim opozitar i jemi pergjigjur cdoher pozitivisht ne te kaluaren! Cila eshte pergjigja jone sot? Definitivisht PO. Po, ne e perkrahim deklaraten e perbashket te inicuar nga disa opozitar. Ju ftojme edhe ju te perkrahni protesten gjithkombetare te dates 22 prill ne Shkup. Ne jemi edhe per Civilen, po per Civilen qe brohoret “Ndal” dhe “Doreheqje” dhe jo vetem “Ostavka”. Ne jemi per Civilizimin teresisht dygjuhsor dhe jo si ky, jo si kjo gjeja qe kemi pasur deri tani. Edhe njehere ne jemi per PO bashkepunimit real opozitar dhe jo vetem deklarativ. Deklarativen ja ku e keni publikisht nga ana ime si kryetar i LR-PDSH dhe jo si nenkryetar i saj. Ju ftoj te bejme edhe bashkepunim real dhe jo vetem deklarativ. Ne kemi vetem nje kusht, dinjitetin dhe perspektiven e shqiptareve ketu ne trojet e tyre, kushtet tjera vendosni ju ne do i perkrahim.” shkruan Sela, transmeton Drini.mk.

Lëvizja Besa akoma nuk është deklaruar lidhur me protestat mbarëshqiptare që janë paralajmëruar për këtë të premte dhe që organizohen nga subjektet opozitare shqiptare dhe mbështeten nga OJQ-të dhe shoqëria civile.

Ndërkaq, RDK, përmes një komunikate ka njoftuar se do të marrë pjesë në protestat mbarëshqiptare te ditës së premte në Shkup. Ja njoftimi i plotë:

Sundimi i ligjit në vend është shndërruar në mision gjithpërfshirës për popullatën e vendit. Ky mision është shndërruar në mision i shenjtë sepse mungesa e sundimit të ligjit është duke shkatërruar tërrësisht jo vetëm shtetin, por edhe jetesën nomrale të popullatës së vendit që nga pavarsimi i shtetit e deri më sot. Ky shkatërrim i shtetit dhe institucioneve të saja nëpërmes mungesës së sundimit të ligjit sot e 25 vite vazhdon të realizohet nga forca destruktive mbrenda institucioneve të shtetit dhe partive të ndryshme politike, dhe për këtë arsye komuniteti ndërkombëtarë krijoi një institucion të pavarur për rikthimin e sundimit të ligjit – Prokuroria Speciale.

Forcat destruktive janë duke punuar fuqishëm në çmontimin e Prokurorisë Speciale dhe për këtë arsye të gjithë forcat progresive duhet maksimalisht të dalin në mbrotje të këtij institucioni që punon në drejtim të rikthimit të sundimit të ligjit në vend. Në këtë drejtim, Rilindja Demokratike Kombëtare të premten do të del në protesta në Shkup në mbrotje të Prokurorisë Speciale. Kjo përkrahje ndaj këtij institucioni është një hap i rëndësishëm në drejtim të demaskimit të të gjith forcave destruktive mbrenda pushtetit që janë strehuar për një periudhë të gjatë kohore. Prandaj, ftojmë të gjith njerëzit e vullnetit të mirë të na bashkangjiten në këto protesta për të demaskuar të gjith ata njerëz që janë strehuar mbrenda shtetit, kombit, fesë dhe gjith institucioneve tjerra të organizimit shoqërorë. Vetëm sundimi i ligjit do të mund të krijojë hapsirë për një fillim të mbarë të krijimit të një shteti të barabartë për të gjith popujt. Tani është koha.

@faktinews