Sipas burimeve pranë shtabit që udhëheq operacionin e kërkimit, siç transmeton edhe televizioni shtetëror “ERT”, 230 milje në Juglindje të Kretës, brenda zonës detare dhe ajrore të Greqisë janë gjetur dy objekte në ngjyrë portokalli, të cilat vlerësohen se janë pjesë të avionit të zhdukur.

Ky lajm vjen vetëm disa minuta pas deklaratës për shtyp të Shërbimit të Aviacionit Civil të Greqisë, sipas të cilit “Airbus A320” i kompanisë egjiptjane që fluturonte nga Parisi me destinacion Kajron, ka humbur nga radari në momentin kur ndodhej 7 milje brenda zonës ajrore të Egjiptit, ndërsa si vend ku mund të jetë rrëzuar përcaktohet pjesa jugore detare pranë ishullit Karpatos të Greqisë, jo shumë larg vendit ku janë gjetur edhe objektet që mund të jenë pjesë të avionit.

Komunikimi i parë me qendrën e kontrollit në Athinë është bërë në orën 02:48 të mëngjesit (me orën greke), 24 minuta pasi kishte hyrë në zonën ajrore të Greqisë, e gjatë komunikimit nuk ka pasur ndonjë referim për ndonjë problem të avionit, madje piloti ka falënderuar edhe në greqisht palën greke.

Në orën 03:27, qendra e kontrollit në Athinë është përpjekur të komunikojë përsëri me pilotin e avionit në fjalë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje për dy minuta rresht, deri sa humbi edhe sinjalin në radar, teksa menjëherë aktivizohet gjendja e gatishmërisë për operacionin e kërkimit, duke u lajmëruar edhe autoritetet e Kajros.

Përveç këtij komunikimi të Shërbimit të Aviacionit Civil grek, tashmë të gjitha mediet e huaja dhe specialistët analizojnë deklaratën e ministrit grek të Mbrojtjes, pak çaste më parë, sipas të cilit avioni në fillim ka kryer një kthesë prej 90 gradësh majtas, e pak më vonë një rrotullim prej 360 gradësh djathtas, duke rënë nga një lartësi prej 37.000 këmbësh në 8.000 këmbë.

Fakti se, përse gjatë të gjithë kësaj kohe piloti nuk ka mundur të komunikojë dhe të thotë diçka, lind dyshime se diçka ka ndodhur në kabinën e pilotëve dhe kjo është një prej pistave që diskutohet më shumë. Ndërkohë, është në zhvillim një operacion gjigant kërkimi, ku marrin pjesë Greqia, që në momentet e para me fregatën “Nikiforos Fokas”, disa anije të tjera në zonë, dy avionë “C130”, një avion tjetër i tipit “EMB-145 H”, si dhe dy helikopterë: “Super Puma” dhe “S-70”.

Përveç një dëshmie të një kapiteni anijeje mallrash, që ka para një shkëlqim në qiell rreth 130 milje në Jugperëndim të ishullit Karpatos, edhe një pilot i një fluturimi në kah të kundërt në atë orë ka dëshmuar se ka parë në atë zonë një ndriçim të madh në det.