Gjenerali serb Milan Mojsiloviq, nuk ka përjashtuar mundësinë e reagimit të Ushtrisë së Serbisë, nëse Forcat e Sigurisë së Kosovës futen në veri të Kosovës.

Mojsiloviq, që është shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, ka thënë se ekziston mundësia që FSK të futet në veri.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që Forcat e Sigurisë që ekzistojnë në Kosovë e M. të angazhohen në mënyrë të njëanshme dhe në mënyrë disproporcionale për të arritur disa pika politike në terren. Por kërkesa jonë, insistimi dhe disa gjëra tjera do të jenë në funksion të sigurisë, jo vetëm të paqes por edhe gjendjes së sigurisë e cila garanton që njerëzit tanë në Kosovë e M të mund të jetojnë dhe të ushtrojnë të drejtat e tyre”, tha Mojsiloviq, raporton B92.

Ai ka insistuar se me Rezolutën 1244, njësitete e KFOR-it janë forca të vetme legjitime në Kosovë.

“Ne këmbëngulim që marrëdhëniet e tyre me subjektet e tjera të sigurisë, që nuk njihen në dokumentet tona si bartëse të ndonjë funksioni të sigurisë, të jenë të paanshme dhe në frymën e marrëveshjeve të nënshkruara dhe të zbatohen jo vetëm për Policinë e Kosovës por edhe për FSK-në, me ndalimin e kalimit në veri të Kosovës pa pëlqimin e veçantë të komandatit të KFOR-it”, tha Mojsiloviq.