Në Gjermani jetojnë rreth 4.7 milionë myslimanë. Ata ndihen të integruar dhe të lidhur me shoqërinë në të cilën jetojnë. Megjithatë, sipas një studimi të fundit, një në pesë gjermanë, nuk i do myslimanët për fqinjë.

Sipas studimit, 60 % e myslimanëve të Gjermanisë janë pjesë e tregut të punës falë vendeve të siguruara atje, të konsideruara thuajse identike me ato të gjermanëve. Edhe niveli i papunësisë në mesin e tyre rezulton me përmirësim në rang kombëtar.

Hartuesi i raportit, Fondacioni gjerman “Bertelsmann” ka marrë në shqyrtim aftësitë gjuhësore të të vetëdeklaruarve si myslimanë, arsimin, vendin e punës dhe kontaktet e tyre shoqërore në Gjermani, Zvicër, Austri, Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, pa llogaritur këtu të ardhurit pas vitit 2010, raporton “TCH”.

Plot 73% e fëmijëve të lindur nga prindër myslimanë në Republikën Federale u rritën me gjermanishten si gjuhën e nënës. Por, sërish raporti me titull “Myslimanët në Evropë: Të integruar, por të papranuar?”, ka arritur të evidentojë shenja islamofobie në të gjitha vendet e përfunduara në lupën e tij, përcjell albinfo.ch.