Gjermania edhe gjatë kohës së ish Jugosllavisë ka qenë një ndër shtetet e preferuara ku kanë vajtur për punë mërgimtarët tanë, të joshur me pagat e larta, shkruan gazeta Koha transmeton Zhurnal.

Pas dyndjes së madhe në vitet 70-ta dhe 80-ta, falë edhe bashkëpunimit institucional midis autoriteteve jugosllave dhe gjermane, migracioni pas viteve të 90-ta shënoi kufizime nga ana gjermane. Me fillimin e këtij viti, tregu gjerman sërish i ka hapur dyert për punëtorët nga rajoni dhe Evropa lindore, por kësaj radhe punësimi duhet të kërkohet në rrugë institucionale përmes Entit gjerman për punësim. Natyrisht mjaft qytetarë në ndërkohë në periudhën e kaluar kanë shfrytëzuar edhe bashkimin familjar si dhe njohjet private për tu akomoduar dhe gjetur një vend pune në ekonominë më të fuqishme evropiane. E ballafaquar me plakjen e popullatës, Gjermania në vitet e fundit me të madhe josh punëtorët me kualifikime të larta, por edhe të ulëta nga rajoni. Në këtë drejtim është lehtësuar mjaft edhe qasja në tregun gjerman të punës prej fillim të këtij viti. Si rrjedhojë e kësaj, mbi 30 mijë punëtorë nga rajoni, ndër to edhe 3600 punëtorë nga Maqedonia sivjet kanë fituar të drejtën të punojnë në Gjermani.

Jozyrarisht vlerësohet se ky numër është për disa herë më i madh duke llogaritur edhe personat që kanë gjetur punë përmes shokëve, familjarëve apo ndërmjetësuesve të tjerë. Në vitin 2015, në Gjermani nga Maqedonia kanë arritur 24 mijë njerëz, prej të cilëve 12 mijë kanë qëndruar edhe më tej në këtë shtet, kurse të tjerëve nuk iu është pranuar e drejta e qëndrimit. Për shkak të situatës së rëndë ekonomike në shtetet e rajonit, se vjen e më shumë njerëz ardhmërinë e tyre e kërkojnë në Gjermani, jo vetëm duke kërkuar punë për profesionet që janë në listën deficitare, por edhe ato profesione për të cilat do gjejnë punëdhënës që do t’i angazhojë për punë.

Me miratimin e Ligjit të ri për punësim, që vlen prej fillimit të këtij viti, Gjermania i hapi me të madhe dyert për fuqinë punëtore me kualifikime të larta dhe të ulëta për shtetet jashtë BE-së, ndërsa edhe koha për pranimin e kualifikimeve të huaja është shkurtuar mjaft. Sipas autoriteteve gjermane, personeli mjekësor dhe zanatlinjtë aktualisht janë më të kërkuar në tregun e punës të këtij shteti. “Shtetet e Ballkanit perëndimor kanë bashkëpunim të ngushtë me ne lidhur me punësimin. Ajo që për momentin ne e vendosim si theks është informimi i qytetarëve nga i gjithë rajoni për atë se si mundet të arrihet në Gjermani dhe të punohet në kuadër të së ashtuquajturës  ‘migrim i punës’”, ka deklaruar për Dojçe Vele, Kea Deker, shefe e Departamentit për bashkëpunim ndërkombëtar në Byronë qendrore për ndërmjetësim ndërkombëtar dhe avancim profesional të Entit gjerman të punësimit.

Sipas saj, në dy vitet e fundit ishte shprehur interesim për personel mjekësor, ndërsa sivjet është shfaqur nevoja më e madhe për punëtorët nga sfera e mekatronikës, elektroteknikës, përpunimit të metaleve, gjegjësisht punët klasike të zanatit. Sugjerohet që gjatë aplikimit për punë nevojitet të respektohen kriteret gjermane. Për shembull, tek personeli mjekësor, në rend të parë është diploma e Entit publik për shkollën e mesme të përfunduar të drejtimit të përgjithshëm ose të drejtimit të teknikut të pediatrisë, njohja e gjuhës gjermane së paku në nivelin B1, dhe gjashtë muaj përvojë pune në profesion pas diplomimit. Përkundër ofertave të ndërmjetësve të ndryshëm, ato që nuk i plotësojnë këto kushte e kanë mjaft vështirë që të gjejnë një vend pune. Qytetarët që janë të interesuar të punojnë në Gjermani ju këshillohet që para nënshkrimit të çfarëdo kontrate, të informohen në mënyrë të hollësishme për përkrahjen që ju ofron punëdhënësi gjerman gjatë njohjes së diplomës së tyre. Kjo është një nga kushte për fitimin e lejes së pakufizuar të punës, vazhdimin e lejes së qëndrimit dhe në fund edhe bashkimin familjar.

Në ndërkohë, përcjell KOHA, edhe institucionet e ndryshme gjermane kanë treguar se në tregun gjerman të punës ekziston interesim i madh për punëtorët e profileve të ndryshme nga Evropa lindore. Sipas Institutit të ekonomisë gjermane, rreth 120 mijë punëtorë të kualifikuar mungojnë në Gjermani vetëm në lëminë e matematikës, informatikës, shkencave natyrore dhe teknikës. Nga ky institut kanë lëvduar listën e re pozitive me të cilën është hapur mundësia personat e kualifikuar jo vetëm me diplomë universitare, por edhe zanatlinjtë dhe personat e profesioneve të tjera të këtij niveli të arsimit, të mund të punësohen në Gjermani. Disa nga profesionet që kërkohen nga Gjermania janë:   asistent teknik, inxhinier mekanik, elektricist, instalues elektrik, elektricist, hidraulik, teknik i ngrohjes, punëtorë pa kualifikime për ujë, shofer, monitorim i infrastrukturës hekurudhore, mirëmbajtja e infrastrukturës në hekurudha,  infermier në pediatri, infermier në kirurgji, infermierë në klinikë, anesteziolog, ndihmës anesteziolog, kujdestarë për të moshuar, specialistë në klinika gjeriatrike, specialistë në onkologji, specialistë në endoskopi, specialistë në nefrologji, specialistë në rehabilitim, profesionistë të shëndetësisë, teknikë kompjuterësh, hidraulikë, muratorë, mekanikë makinash, gomistë etj.